Pse Ministria e Drejtësisë i hoqi liçensën noteres që i vunë tritol në makinë
Makina luksoze e llojit “Range Rover Evoque”, me targa “AA 199 YS”, në të cilën ishte vendosur një sasi tritoli që shpërtheu mbrëmjen e së premtes, rezultoi të ishte në pronësi të ish-noteres Rezarta Koçi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, në rrugën “Osman Myderizi”, poshtë pallatit ku ishte e parkuar makina. Burime thanë se një sasi që dyshohet të ketë qenë rreth 100 gramë eksploziv, i llojit tritol, ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës. Edhe dëmtimet makina i ka pasur më të shumta në pjesën e përparme, por fatmirësisht shpërthimi nuk solli lëndime në njerëz. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mori dëshmitë e para, si dhe sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth, që mund të bëjnë të mundur identifikimin e autorit të mundshëm. Burime nga grupi hetimor thanë se fakti që shpërthimi ka ndodhur kur mjeti ishte i parkuar, do të thotë se autori ka pasur si qëllim që t’i përcjellë një mesazh kërcënues ish-noteres Rezarta Koçi. Aktualisht Koçi nuk e ushtron më funksionin e noteres, pasi është përjashtuar përgjithmonë nga sistemi, pas një hetimi të nisur me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
KALLEZIMET
Duket se shpërthimi i eksplozivit në makinën e ishnoteres Rezarta Koçi ka qenë një paralajmërim për të. Ajo ishte kallëzuar 4 herë për mashtrim, fillimisht në korrik të vitit 2019. Ajo ishte denoncuar për mashtrim dhe shpërdorim detyre nga një person me inicialet I. Ç., i cili e akuzonte Rezarta Koçin se i kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash për një hotel që kishte ai dhe nuk ia kishte kthyer më. Po përgjatë vitit 2019, ajo ishte denoncuar tri herë të tjera nga persona të ndryshëm. Shtetasi me inicialet E. N. e kallëzonte me pretendimin se i kishte marrë para në këmbim të shitjes së një pasurie të paluajtshme. Një tjetër i dëmtuar, shtetasi me inicialet E. Q., e kallëzonte për të njëjtën gjë. E po kështu edhe një grua me inicialet P. Z. kishte bërë të njëjtin kallëzim. Burimet thanë se problemet që ajo ka pasur me personat që e kanë denoncuar, por duke mos përjashtuar edhe ndonjë konflikt tjetër, janë një nga pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ku makina e saj shpërtheu nga aktivizimi i një sasie tritoli.
HEQJA E LICENCES
Në vitin 2020 Ministria e Drejtësisë nisi një hetim ndaj noteres Rezarta Koçi, pas një ankese që mbërriti në adresën e Ministrisë, duke bërë që asaj t’i hiqet licenca. Me urdhër të ish-ministres Etilda Gjonaj, Ministria e Drejtësisë vendosi të niste procedim penal dhe të hiqte licencën e Rezarta Koçit. Shkak ishin sjelljet dhe qëndrimet e saj, që sipas Ministrisë, cenonin besimin e publikut dhe ulnin dukshëm cilësinë ofrimit të shërbimit të noterisë në vend. Një qytetar me inicialet K. G. ankohej përmes email-it se noterja nuk kishte përdorur në mënyrë të rregullt llogaritë bankare, dhe pas hetimit të Ministrisë së Drejtësisë u propozua të pezullohej përgjithmonë Rezarta Koçi dhe të fillonte procedimi penal ndaj saj. “Përdorimi i llogarisë rrjedhëse si person fizik në vend të asaj të dedikuar për transaksione noteriale dhe më tepër tërheqja prej noteres e çmimit të shitjes së depozituar në llogarinë e saj dhe mbajtja për qëllime që nuk u evidentuan dot në këtë hetim disiplinor për një periudhë 3-4 javore para se të kalonin në llogarinë e shitësit”, ishte argumentimi i gjetjeve gjatë hetimit të nisur ndaj saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



