Pse policia kërkoi prova për Ervis Martinajn te vila e Avdylajve?
Gazetari zbulon të pathënat
Familjarët e Ervis Martinajt kanë kërkuar që gjykata ta shpallë zyrtarisht të zhdukur, teksa sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, janë të bindur se ai është futur në një grackë
Sipas Dervishit, hetimet e para të policisë tregojnë se episodi i fundit që mund të ketë çuar në zhdukjen e Martinajt ka lidhje me vilën e familjes Avdylaj. Policia ka ushtruar kontroll në pronën e tyre, ndërkohë që hetimet shkencore po përpiqen të gjejnë prova fizike, si qime apo gjurmë ADN-je.
Gazetari shpjegoi se lidhja e Aldo Avdylajt me rastin lidhet me reagimin e vonuar të policisë, e cila u njoftua nga familjarët më 11 gusht, ndërsa Martinaj ishte zhdukur një ose dy ditë më parë. Mbërritja e forcave të rendit në vilë ndodhi një deri në tri javë pas ngjarjes, për të verifikuar informacionet që kishin mbi vendndodhjen e tij.
Dervishi përshkroi në emisionin “Të Paekspozuarit” edhe skemën që sipas familjes çoi në zhdukjen e Martinajt: ai u thirr në telefon me pretendimin se një nga kundërshtarët e tij ishte kapur, duke e futur në një grackë të mirëplanifikuar.
“Familja është e bindur se ai është futur në grackë, dhe kjo është arsyeja pse po kërkojnë shpalljen zyrtare të zhdukjes së tij,” tha Dervishi, duke shtuar se hetimet vazhdojnë për të zbardhur çdo detaj të episodit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



