E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Rama po e bën nul rrëfimin e Veliajt
Publik News

Pse Rama po e bën nul rrëfimin e Veliajt

TIRANË– Edi Rama u angazhua personalisht për ta bërë nul dëshminë e Erjon Veliajt per pushtetin Rilindas. Një dëshmi e regjistruar pa dijeninë e dëshmitarit, që u ngjante rrëfimeve që kriminelët bëjnë përpara se të ekzekutojnë viktimën, në thrillerat skematikë. Me ndryshimin që ato rrëfime ndihmojnë shikuesin të kuptojë vetem ngjarjet e mëparshme, ato e mbyllin thrillerin.

Në rrëfimin e Veliajt përfshihet e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Ai na tregon se si pushteti i Rilindjes pushtoi gjithe institucionet, si shkatërroi qëndresën qytetare për të mbrojtur historinë, kulturën dhe gjelbërimin. Si ra Teatri duke u joshur dhe shantazhuar aktorët qe e mbronin. Na shpjegon ndryshimin e papritur të qëndrimit të Robert Ndrenikës dhe kolegëve të tij, pasi Erjon Veliaj i thirri dhe u soll me ta njësoj si me Sulejman Memën, se si një njeri me pushtet ka përdorur dhe përdor metoda kriminale për të rekrutuar personalitete dhe për t’i përdorur ata si jeniçerë për të zhvatur institucione të pavarura dhe pasuri publike.

Rrëfimi i Veliajt shpjegoi rrahjet e protestuesve te Parku i Liqenit dhe pastaj futjen e betonit për të prishur tabutë që betonizimi i tanishëm të mos haste rezistencë.

Shpjegoi se si i përçau banorët e Astirit, Shkozës, Bregut të Lumit dhe 5 majit, me të njëjtat mjete të paligjshme të joshjes dhe shantazhit, për të ulur kostot e strehimit të të pambrojturve që të rritej fitimi i ndërtuesve – ortakë.

Amnistimi i këtyre padrejtësive dhe paligjshmërive nuk mbetet pa u shpjeguar në rrëfimin e Veliajt. Ai tregon se si Drejtësia tani është një shtojcë e pushtetit të Rilindasve, që, jo vetëm nuk mund t’i prekë, por përdoret si armë kundër gjithë kundërshtarëve. Pa e përmendur shpjegon pse për çështjen e patronazhistëve që u mbyll për turpin e SPAK, u morën në pyetje vetëm denoncuesit dhe u kërkua konfiskimi i portalit që e denoncoi. Pa e përmendur shpjegon pse DH Albania u telendis me dënimin e një recepsionisti, pse dosjet 339 dhe 184 u bënë barsaleta juridike, pse veprimet e Drejtësisë nxiten nga zyrat e PS, shkruan Enton Abilekaj.

Na shërbeu për të kuptuar të ardhmen pa asnjë institucion të pavarur. Me marrjen e Presidencës dhe FSHF, edhe ndonjë institucion ka mbetur i pakontrolluar do të bjerë pa rezistencë. Ishujt e lirë mund të jenë sfidë për Kinën, jo për Rilindjen.

Kështu, siç e paralajmëron Veliaj, pushteti totalitar do të pushtojë çdo qelizë të shoqërisë. Instalimi i regjimit nuk do të ketë më rezistencë, ndërsa dhuna e pakicës i ka nën kontroll të gjithë mekanizmat.

Në hapat e fundit të këtij projekti, të denoncuar nga opozita dhe një pjesë e medias, rrëfimi i Veliajt ishte vetëm konfirmim. Me të drejtë Rama kërkon ta bëjë nul. Ai rrëfim u tregon të gjithëve se instalimi i regjimit nuk është akuzë e kundershtarëve, por një projekt në përfundim. Dekonspirimi i pavullnetshëm i Veliajt, mund ta kompromentojë sadopak./Dosja.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.