E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Tirana i ka thënë ‘Jo’ PD-së për 25 vite rresht?
Lajme

Pse Tirana i ka thënë ‘Jo’ PD-së për 25 vite rresht?

Në një analizë të publikuar së fundmi, juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu ka hedhur dritë mbi arsyet pse Tirana, për 25 vite rresht, nuk i ka dhënë besimin Partisë Demokratike, as në zgjedhjet lokale dhe as në ato parlamentare.

Sipas Spahiut, pikënisja e këtij distancimi ndodhi më 1 tetor të vitit 2000, kur Edi Rama fitoi për herë të parë Bashkinë e Tiranës. Ky moment, sipas tij, shënoi fillimin e rënies së PD-së në kryeqytet dhe ngritjen e një trendi të pandalshëm në favor të së majtës.

“Kanë kaluar plot 25 vjet që qytetarët e kryeqytetit nuk votojnë PD, përfshirë edhe Lulzim Bashën që humbi me 10 vota, por më pas mandati iu ‘dhurua’ nga KQZ”, shkruan Spahiu.

Ai kritikon transformimin e PD-së nga një parti qytetare dhe elitare në një forcë politike me bazë provinciale. Si shembull, përmend përjashtimin e tre figurave tiranase në vitin 2000: Dash Shehi, Buron Kaceli dhe Bamir Topi.

Ndër kritikën më të fortë, Spahiu thekson dështimin urban të PD-së gjatë viteve të para të tranzicionit: “PD e shkatërroi kryeqytetin me kioska, ndërtime pa leje, shtesa pallatesh dhe kaos urban.”

Ai ngre gjithashtu pyetjen se pse asnjë nga figurat kryesore të PD-së sot nuk guxon të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se fitorja në kryeqytet është çelësi për një rotacion të mundshëm politik në zgjedhjet e ardhshme.

Në fund, Spahiu sjell në vëmendje satirën e Qazim Mulletit dhe fjalën e Dritëro Agollit për të përshkruar fenomenin e “provincializmit politik” që, sipas tij, ka pushtuar PD-në dhe e ka larguar nga qytetaria dhe identiteti i Tiranës.

“Tirona sot e sheh PD-në si një rrezik kombëtar,” përfundon Spahiu.

Reagimi i plotë:

“Më 1 tetor 2000 ndodhi fitorja e parë e Edi Ramës dhe filloi fundosja e Partisë Demokratike në Tiranë.

Kanë kaluar plot 25 vjet që qytetarët e kryeqytetit nuk votojnë PD, përfshirë edhe Lulzim Bashën që humbi me 10 vota, por më pas mandati iu “dhurua” nga KQZ

Po pse Tirana nuk e voton Partinë Demokratike, as për Bashkinë dhe as për qeverinë?

PD, nga një parti qytetare, u shndërrua në një parti provinciale, duke ngjallur reaksion në kryeqytet. Në vitin 2000, nga gara u përjashtuan tre tironas autentikë: Dash Shehi, Buron Kaceli dhe Bamir Topi. PD, nga një parti e studentëve dhe intelektualëve, përjashtoi dhe eliminoi gjithë themeluesit e saj.

Gjatë 10 viteve të para (1991–2000), PD e shkatërroi kryeqytetin me kioska, ndërtime pa leje, shtesa pallatesh dhe kaos urban.

PD i dha prioritet “pushtuesve” dhe jo pronarëve autoktonë: ngriti bastionet në Bathore, Kamëz, dhe periferitë, duke stimuluar fenomenin “tokë e Xanun”.

Sot askush nuk pranon të kandidojë për PD në Tiranë, sepse humbja shihet si e sigurt. Ndërkohë, çdo kryetar bashkie i Tiranës gjatë këtyre 25 viteve Rama, Basha dhe Veliaj ka pasur ambicie për kryeministër.

Pse nuk garon Berisha, Flamuri, Albana, Jorida, Alimehmeti, Gazmenti, Agroni, Pollo, Belindi?

Pse disa vite më parë garuan disa personalitete si Besnik Mustafai, Spartak Ngjela, Sokol Olldashi, Halim Kosova dhe sot nuk gjejnë emra?

A është Tirana kaq e parëndësishme sa liderët demokratë i shmangen garës, kur dihet që një fitore në kryeqytet do të ishte paradhoma e një rotacioni politik në zgjedhjet parlamentare?

Në botë ka plot shembuj ku kryeministra kanë qenë më parë kryetarë bashkie:

• Britania e Madhe: Boris Johnson (Londër)

• Italia: Matteo Renzi (Firence)

• Franca: Jacques Chirac (Paris)

• Turqia: Recep Tayyip Erdoğan (Stamboll)

• Izraeli: Ehud Olmert (Jeruzalem)

Së fundi, dua të rikujtoj një parullë të vitit 1990 në protestat e para:

“Tirona heroike me Partinë Demokratike.”

Kjo parullë u mbulua nga zhuli i zheleve.

Në vend të saj, tingëllon “shprehja” e Qazim Mulletit: “Kur katunaria zbret në qytet, kombi është në rrezik.”

Në fakt, satira e Qazim Mulletit nuk kishte parasysh fshatarët e thjeshtë, por provincialët që, ngjiten në poste në Tiranë por mbeten të varfër në shpirt, të varfër në mentalitet duke urryer Tiranën dhe pengesë për civilizimin.

Pikërisht këtë sheh Tirona sot tek PD:

“Një rrezik kombëtar.”

Ndoshta Qazim Mulleti e paska tepruar disi por jo, Dritëro Agolli kur tha:

“Mund ta nxjerrësh një katundar nga katundi, por jo katundin nga katundari”

Sot edhe po ndërruan 7 lëkurë, kryeqytetin s’e fitojnë kurrë………” shkruan Kreshnik Spahiu

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.