Pse zgjodhi Fibank? Fusha: Kam 70 mln lekë borxh tek punëtorët!
Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me grabitjen me armë të ndodhur mesditën e së enjtes në filialin e FiBank në Tiranë.
Autori i dyshuar, Bardhyl Fusha, ka deklaruar se kishte rreth 70 milionë lekë të vjetra borxhe të pashlyera ndaj punëtorëve, pasi ushtronte aktivitet në fushën e ndërtimeve. Sipas dëshmisë së tij, vështirësitë financiare e kishin çuar drejt vendimit për të kryer grabitjen.
Ai ka treguar gjithashtu se kishte zgjedhur pikërisht këtë filial banke, pasi e frekuentonte shpesh për kryerjen e pagesave dhe e njihte ambientin.
58-vjeçari, me origjinë nga Gramsh, jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Ditën e ngjarjes ai u afrua pranë bankës me automjetin e tij, e parkoi aty pranë dhe hyri i armatosur në filial.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se roja i sigurisë private nuk ndodhej për momentin tek dera, ndërsa detektori i metaleve sinjalizoi menjëherë praninë e armës sapo Fusha hyri në ambientet e bankës.
Ai nxori nga çanta një kallashnikov dhe qëlloi një herë në dysheme për të trembur stafin dhe klientët. Autori arriti të marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra nga një prej arkave, por u neutralizua dhe u arrestua menjëherë sapo doli nga dera e filialit.
Për armën e zjarrit, 58-vjeçari ka deklaruar se e kishte në posedim që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



