E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Punësimi i Muçi Shaljanit, Prokuroria dërgon në gjyq ish-drejtorët e AMP
Lajme

Punësimi i Muçi Shaljanit, Prokuroria dërgon në gjyq ish-drejtorët e AMP

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore (AMP), të akuzuar për “shpërdorim detyre”, në lidhje me punësimin e paligjshëm të Muçi Shalijanit, i njohur si “Sheqeri”, i cili mbeti i vrarë në Rinas.

Sipas dosjes hetimore, Shalijani humbi jetën më 11 nëntor të vitit të kaluar, në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit, pranë aeroportit “Nënë Tereza”, së bashku me Gilmando Danin. Hetimet zbuluan se ai ishte punësuar në mënyrë të jashtëligjshme si punonjës i AMP-së.

Në përfundim të procedimit penal nr. 8566 të vitit 2025, Prokuroria ka ngritur akuza ndaj shtetasve A.S., ish-Drejtor i Përgjithshëm i AMP-së, dhe G.S., Drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, për shkelje të nenit 248 të Kodit Penal.

Sipas organit të akuzës, punësimi i Shalijanit është kryer në kundërshtim të plotë me ligjin nr. 128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe rregulloren përkatëse për funksionimin e këtij institucioni. Procedurat ligjore, si shpallja e vendit vakant, ngritja e komisionit të vlerësimit, testimet dhe verifikimet përfundimtare, nuk janë zbatuar në asnjë fazë.

Nga hetimet rezulton se dokumentacioni për punësimin është përgatitur nga G.S., ndërsa vendimmarrja është marrë nga drejtori i përgjithshëm i komanduar në atë kohë, A.S. Dy zyrtarët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të anashkaluar procedurat ligjore, duke justifikuar punësimin me argumentin e “nevojave emergjente”, të cilat nuk rezultojnë të jenë kërkuar apo dokumentuar nga asnjë strukturë e AMP-së.

Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se i ndjeri është punësuar brenda një kohe shumë të shkurtër, vetëm katër ditë nga paraqitja e kërkesës deri në lidhjen e marrëdhënies financiare. Gjatë kësaj periudhe dhe deri në ditën e ngjarjes, ai rezulton të jetë paguar rregullisht, pa u paraqitur asnjëherë në vendin e punës dhe pa kryer asnjë detyrë.

Prokuroria thekson se të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për shkeljet dhe mungesën e kushteve ligjore, por megjithatë kanë vijuar procedurën, duke futur në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.