Punonjësja fundos “trurin” e rrjetit të call center-ave mashtrues

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Si lidhet emri i Granit Pepnikaj me mesazhet tronditëse dhe kërcënimet me jetë ndaj drejtuesit të Publik Media

Frika nga dekonspirimi ka çarë murin e heshtjes brenda një prej call center-ave mashtruese në Tiranë, ku një punonjëse mësohet se vendosi të bashkëpunojë me hetuesit dhe të rrëfejë me detaje gjithë mekanizmin e funksionimit të rrjetit. “E penduar”, ajo ka dhënë një dëshmi të plotë, që nga sigurimi i kontakteve të qytetarëve të huaj të mashtruar më parë, deri te ndarja e roleve dhe teknikat e përdorura për t’u marrë paratë.

Sipas burimeve për mediat, rrëfimi i saj rezultoi kyç, pasi jo vetëm zbardhi skemën, por çoi drejtpërdrejt te personi që konsiderohet si organizatori kryesor, Granit Pepnikaj.

Punonjësja udhëhoqi hetuesit drejt zyrës së tij, e cila ndodhej brenda ambienteve të call center-it dhe frekuentohej nga persona me role drejtuese.

Gjatë kontrollit, u sekuestruan prova të rëndësishme, përfshirë kompjuterin personal të Pepnikajt, që pritet të zbardhë komunikimet e brendshme dhe rrjedhën financiare të aktivitetit. Dyshohet se ai nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri, ndërsa ndaj tij pritet të lëshohet urdhër arresti.

Nga hetimet dhe dëshmia e punonjëses u kuptua se rrjeti funksiononte në mënyrë të mirëorganizuar: operatorët kontaktonin viktima në vende të ndryshme të Europës, duke u premtuar rikuperimin e humbjeve të mëparshme financiare kundrejt një pagese fillestare. Më pas, procesi vijonte me kërkesa të tjera financiare, derisa viktimat zhvatëshin plotësisht. Paratë transferoheshin në forma të vështira për t’u gjurmuar, kryesisht përmes kriptovaluta, ndërsa komunikimet realizoheshin përmes aplikacioneve të koduara.

Por ndërkohë që hetimet po avanconin, një tjetër zhvillim i rëndë ka doli në pah dje, i cili lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje. Drejtori i Publik Media u kërcënua me jetë përmes mesazheve nga një numër i huaj, që dyshohet se ka lidhje me të njëjtin individ.

Mesazhet, me tone të hapura kriminale, përmbanin kërcënime të drejtpërdrejta për jetën, si dhe referenca shqetësuese ndaj familjarëve. Në to përdorej gjuhë e rëndë dhe paralajmërime tronditëse, duke ngritur dyshime të forta për një përpjekje të qartë për intimidim të medias pas publikimeve investiguese mbi aktivitetin e call center-ave.

Pavarësisht presionit, rasti është denoncuar menjëherë tek autoritetet, ndërsa përmbajtja e mesazheve përbën elementë të qartë të veprës penale të kanosjes. Kjo ngjarje rikthen në vëmendje rrezikun me të cilin përballen gazetarët dhe drejtuesit e mediave kur trajtojnë çështje që prekin interesa të fuqishme kriminale dhe ekonomike.

Tashmë, hetimet po zhvillohen në dy drejtime paralele: nga njëra anë për çmontimin e plotë të rrjetit të mashtrimit ndërkombëtar që dyshohet se ka përfituar miliona euro, dhe nga ana tjetër për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kërcënimeve ndaj medias.

Publikuar nga Publik Media