Qentë bëjnë namin në Klos, disa persona përfundojnë në spital
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në Bashkinë Klos, ku pesë persona përfunduan në spital pas sulmeve nga qentë endacakë. Burime spitalore bëjnë me dije se të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Banorët tregojnë se kjo nuk është hera e parë që përballen me raste të tilla, duke e konsideruar fenomenin e qenve endacakë një problem serioz dhe të përsëritur për komunitetin.
Sipas informacionit lokal, dyshohet se qentë endacakë mund të jenë sjellë nga Bashkia e Bulqizës dhe të lëshohen në territorin e Bashkisë Klos, duke rritur ndjeshëm rrezikun për qytetarët. Situata konsiderohet veçanërisht alarmante për fëmijët e shkollave dhe për të moshuarit, që janë më të ekspozuar ndaj sulmeve.
Banorët kanë bërë apel për ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për menaxhimin e qenve endacakë dhe garantimin e sigurisë së komunitetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



