Qeveria bën me pagesë edhe plazhet publike në Shqipëri
Bashkitë do të vendosin çmime tavan për shezlongët
Qeveria ka miratuar ndryshime thelbësore në rregulloren për administrimin e stacioneve të plazhit, duke zgjeruar kompetencat e bashkive për kontrollin e çmimeve të shezlongëve dhe duke krijuar një kategori të re plazhesh publike të administruara drejtpërdrejt nga pushteti vendor.
Vendimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, që ndryshon rregulloren e vitit 2024, vendos rregulla më të rrepta për sezonin e ardhshëm veror dhe zgjeron hartën turistike, duke përfshirë për herë të parë edhe zonat përgjatë lumenjve, krahas detit dhe liqeneve.
Çmime tavan për shezlongët
Një nga risitë kryesore është e drejta e Këshillave Bashkiakë për të vendosur çmime maksimale për shezlongët përpara nisjes së sezonit turistik. Sipas vendimit, bashkitë mund të miratojnë çmime tavan për çdo zonë bregdetare, të cilat do të shërbejnë si kufi i detyrueshëm për operatorët privatë.
Në rast se Këshilli Bashkiak nuk merr një vendim të tillë, çmimi maksimal do të përcaktohet përmes marrëveshjes mes bashkisë dhe subjektit privat në momentin e lidhjes së kontratës. Çmimi i dakordësuar bëhet pjesë integrale e kontratës dhe nuk mund të tejkalohet gjatë gjithë sezonit veror, ndërsa çdo shkelje parashikohet si shkak për zgjidhjen e kontratës.
Kategori e re: plazh publik i tarifuar nga bashkia
Vendimi krijon gjithashtu një koncept të ri administrimi, atë të “plazhit publik të tarifuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore”. Këto plazhe do të menaxhohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, duke garantuar standarde sigurie, pastërtie dhe shërbimi.
Risi e rëndësishme është ndalimi i dhënies së këtyre plazheve me koncesion apo kontraktim privat, duke synuar mbrojtjen e hapësirave publike dhe shmangien e abuzimeve.
Rregulla të reja për investitorët strategjikë dhe zhurmat
Ndryshimet prekin edhe investitorët strategjikë, të cilëve u njihet përparësi për përfitimin e stacioneve të plazhit, por vetëm pasi të jetë vënë në funksion struktura akomoduese, si hoteli apo resorti. Kjo masë synon të ndalojë zaptimin e plazheve nga projekte të papërfunduara ose kantiere ndërtimi.
Po ashtu, bashkitë do të kenë detyrimin të publikojnë, përpara nisjes së sezonit, hartën e zhurmave për secilin plazh, si pjesë e masave për menaxhimin e turizmit dhe mbrojtjen e pushuesve.
Përjashtime për subjektet pa struktura hoteliere
Vendimi parashikon edhe përjashtime për disa zona specifike, ku subjektet që operojnë vetëm me restorante ose bare, pa pasur hotel, mund të përfitojnë stacion plazhi me një kapacitet maksimal deri në 50 çadra. Këto përjashtime vlejnë për zona si Zvërneci, Plazhi i Vjetër në Vlorë, Spille, Vilë-Bashtovë, Gjiri i Lalzit, Currilat, Porto-Romano, Borshi, Llamani, Lukova dhe Rrjolli.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit ngarkohen me monitorimin dhe zbatimin e masave të reja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



