E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Qeveria hap dosjet e vjetra të pronave
Lajme

Qeveria hap dosjet e vjetra të pronave

12 muaj afat për titujt e paregjistruar

Ndryshimet janë parashikuar në dy projektligje të hedhura për konsultim publik: projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, dhe projektligjin e ri “Për pronat e paluajtshme të shtetit në Republikën e Shqipërisë”.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me proceset gjyqësore të nisura nga institucionet shtetërore për anulimin e titujve privatë dhe njohjen e pasurive si pronë shtetërore.

Sipas propozimit, institucionet do të mund të tërhiqen nga disa prej këtyre padive kur titulli është nxjerrë me parregullsi në formë, procedurë apo përmbajtje, por ndërkohë prona i është kaluar një personi të tretë ose është zhvilluar në përputhje me legjislacionin e territorit.

Tërheqja do të aplikohet vetëm për çështjet që nuk kanë përfunduar ende me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në praktikë, kjo mund të bëjë që disa tituj të kontestuar nga shteti të mbeten në fuqi, në rastet kur prona është tjetërsuar ose mbi të është kryer zhvillim dhe ndërtim.

Një procedurë e veçantë parashikohet për titujt administrativë që nuk janë regjistruar në Hipotekë apo në Kadastër. Mbajtësit e këtyre titujve, kur prona figuron si shtetërore, do të kenë 12 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për të kërkuar regjistrimin.

Ata që aplikojnë brenda këtij afati do të përjashtohen nga kamatëvonesat. Pas përfundimit të periudhës 12-mujore, titulli mund të paraqitet sërish për regjistrim, por në këtë rast do të duhet të paguhet kamatëvonesa e krijuar.

Në rast se Kadastra refuzon regjistrimin, pretendimi privat do të pasqyrohet në kartelën e pasurisë. Refuzimi administrativ nuk do të konsiderohet si anulim i titullit dhe mbajtësi i tij do të ketë të drejtën t’i drejtohet gjykatës për njohjen e pronësisë.

Përjashtim bëjnë rastet kur titulli prek një pronë publike të patjetërsueshme. Në këto situata, Agjencia Shtetërore e Pronës do të njoftojë Avokaturën e Shtetit, e cila mund të kërkojë në gjykatë shpalljen e pavlefshmërisë së titullit.

Dy projektligjet synojnë të adresojnë një pjesë të konflikteve të trashëguara të pronësisë, duke ndryshuar mënyrën se si shteti ndjek paditë për titujt e kontestuar dhe duke vendosur një afat të përcaktuar për regjistrimin e titujve administrativë të paregjistruar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.