Qeveria miraton 1 miliard lekë shtesë page për gjyqtarët e prokurorët
Këshilli i Ministrave ka paraqitur ndryshime në buxhetin e vitit 2023, duke alokuar 1 miliardë lekë për kompensimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në përputhje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo shumë shkon për 4 institucione të drejtësisë dhe pjesa tjetër e rishpërndarjes përfshin shpenzime të ndryshme. Bashkia Tiranë nuk është përfshirë, duke justifikuar se ka potencial të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura.
Kjo shumë është më pak se gjysma e shumës totale të përllogaritur nga ministria e Financave dhe shkon vetëm për 4 institucione të drejtësisë, përkatësish Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
Sipas arsyetimit në akt, ndarja e fondit do të bëhet bazuar në përllogaritje të bërë nga Ministria e Drejtësisë me një efekt financiar prej 1. 68 miliardë lekë referuar katër institucioneve. Ndërkohë që efekti financiar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përfshin të gjithë institucionet e drejtësisë, që po ashtu kanë kërkuar nga Kuvendi që t’u njihet ky detyrim për punonjësit e tyre magjistratë.
Këto institucione po përballen me përmbarimin, pasi dhjetëra prokurorë e magjistratë kanë fituar gjyqet për përfitimin e kësaj shtese page.
Sipas vendimit të GJK bëhet fjalë për një shtesë prej 14 mijë lekësh të pagës për magjistratët që nga viti 2019 e në vijim, pasi Kuvendi kishte përllogaritur gabim pagën bazë të tyre në ligjin për “Statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



