Qeveria propozoi gjyqtarin e 21 Janarit për në Strasburg, BE-ja e refuzoi, gruas i dha para për studime në Angli
Tre apo katër vite më parë në përvjetorin e vrasjeve të 21 janarit, kryeministri Edi Rama, tha në parlament se gjykatësit e 21 Janarit sot janë në rrugë, nesër do jenë në burg.
A është vërtet kështu?
Fjalët i merr era. Edhe kur janë të bukura. Veçanërisht, kur faktet flasin ndryshe.
Këto fakte sugjerojnë që jo vetëm që nuk është kështu si thotë kryeministri (dhe kjo nuk është hera e parë) por ai vetë është përfshirë për të kundërtën.
Fjala është për gjykatësin Aleksandër Muskaj, një nga gjyqtarët kryesorë në kalvarin e 21 janarit në sistemin e drejtësisë.
Z.Muskaj është një nga 5 gjykatësit e Gjykatës së Lartë që e fundosi në mënyrë definitive drejtësinë për ekzekutimet publike të 13 viteve më parë.
Ai ishte në trupin gjykues që mori vendimin përfundimtar për rrëzimin e kërkesës për dënimin e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.
Ky vendim është cilësuar si vendimi që mbylli në mënyrë fatale rrugën që ndoqi dosja nga Shkalla e Parë e deri në Apel dhe shpresën për rigjykim të vrasjeve.
Po çfarë ka ndodhur më pas me zotin Muskaj?
A është ai “në rrugë, dhe nesër do jetë në burg” – sic thotë Kryeministri?
Nuk duket kështu.
Megjithëse shfaqet serioz dhe solemn në raste të tilla, kryeministri tjetër thotë dhe tjetër bën, për arsye që ai duhet t’ia shpjegojë dikur votuesit të majtë.
Në prill 2017, z.Muskaj ishte një nga tre kandidatët e Shqipërisë për Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut.
Propozuar nga kush?
Nga qeveria.
Madje qeveria e z.Rama, gjykatësin që fundosi 21 janarin e ka konsideruar si “një nga 3 juristët më të mirë të vendit” dhe e ka përzgjedhur si të përshtatshëm për të përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sikur mos ishte për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kandidatura e z.Muska e propozuar nga qeveria e Shqipërisë do ishte shndërruar tashmë në përfaqësim.
Një përfaqësim i turpshëm i firmosur nga ish-kryeopozitari që erdhi në pushtet me premtimin për ndëshkimin e 21 janarit dhe vazhdon edhe sot pas 13 vitesh kryeministër të përsërisë të njëjtën deklaratë.
Që të rikthehemi, në temë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, rrëzoi tre kandidaturat e qeverisë shqiptare për Gjykatën me arsyetimin e drejtë se “nuk përmbushin kualifikimet e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtarë”.
Të tre kandidatët u intervistuan më 6-7 prill nga 22 deputetë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe u refuzuan.
Vetingu gjithashtu e përjashtoi gjyqtariun Muskaj nga sistemi.
Por nuk mbaron me kaq.
Jo vetëm zotin Muska, por edhe bashkëshorten e tij, qeveria e z.Rama është kujdesur t’ia përmirësojë jetesën, ndërkohë që çdo vit merr përdore fëmijët e viktimave të 21 janarit dhe vendos lule në pllakëzën e bronztë simbolike që mezi duket në bulevardin e Tiranës.
Emri i zonjës Muska është në krye të listës së përfituesve nga një fond i qeverisë që shpërndahet prej vitit 2013.
Zonja Muska, ish-inspektore në ILDKP, me vendim të posaçëm qeveritar, sot jeton në Londër, ku ka deklaruar se vijon studimet. Në mënyrë ekselente sigurisht.
Në këtë listë (që ishte edhe një nga shkaqet e zemërimit të studentëve – kur ata u ngritën në protesta disa vite më parë) janë jo vetëm njerëz të tillë pa lidhje me ta, por edhe shumë zyrtarë, madje edhe njerëz të “opozitës”, të cilët çdo 21 janar, kryeministri i shënjestron gjithashtu ashpër.
Nuk është rasti i parë, që njerëz të përfshirë në abuzime me pushtetin në politikë, administratë apo drejtësi gradohen, promovohen, ose merren në mbrojtje nga një qeveri që është votuar pikërisht për të kundërtën.
Raste si ky janë dëshmi e qartë se pandëshkueshmëria 30 vjeçare vazhdon në mënyrë cinike, sfiduese dhe tallëse për një shoqëri, e cila ka humbur busullën nga mungesa e besimit dhe e shpresës.(Dita)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



