Qindra qytetarë protestojnë në Zvërnec: Larg duart nga Narta!
Një ditë pas takimit të kryeministrit Edi Rama me një grup pronarësh tokash në zonën e Zvërnecit, reagimi qytetar ka ardhur i menjëhershëm dhe i fuqishëm. Qindra protestues u mblodhën për të kundërshtuar projektin e shumëdiskutuar që parashikon ndërtimin e një resorti turistik në një nga zonat më të ndjeshme natyrore në jug të vendit.
Me pankarta dhe thirrje si “Larg duart nga Narta”, qytetarët shprehën hapur kundërshtinë e tyre ndaj ndërhyrjes në këtë territor. Një flamur gjigant kuqezi u shpalos në shenjë simbolike, duke e kthyer protestën në një manifestim të fortë qytetar kundër projektit dhe vendimmarrjes së qeverisë.
Sipas deklaratave zyrtare, investimi pritet të realizohet nga dy sipërmarrës nga Katari, çka ka shtuar edhe më shumë debatet publike mbi transparencën dhe interesin kombëtar. Protestuesit kërkojnë anulimin e menjëhershëm të projektit, duke argumentuar se ndërhyrja rrezikon ekosistemin e zonës dhe cenon pasuritë natyrore.
Prej rreth një jave, protesta të vazhdueshme janë zhvilluar në disa qytete të vendit, duke nisur fillimisht si kundërshti ndaj projektit në Zvërnec. Me kalimin e ditëve, ato janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila ka përfshirë edhe kryeqytetin.
Në Tiranë, tubimet kanë marrë përmasa më të mëdha, ndërsa në mesazhet e protestuesve janë shtuar edhe tone më të forta politike, përfshirë thirrje për ndryshim dhe kundërshti të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë.
Situata mbetet dinamike, ndërsa pritet të shihet nëse reagimi qytetar do të ndikojë në vendimmarrjen për projektin në Zvërnec, i cili tashmë është kthyer në një nga çështjet më të debatueshme në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



