Albert Mero
Edi Rama po përgatitet të vendosë fytyrën e tij në qendër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, një qasje që e kemi parë dhe dëgjuar herë pas here gjatë tri mandateve të tij si kryeministër. Me një retorikë të njohur dhe një strategji të bazuar në polarizimin ekstrem, Rama kërkon t’i japë fushatës një narrativë të thjeshtë: “Unë kundër Berishës.” Por ky dualizëm i konsumuar mes Ramës dhe Berishës nuk është më as befasues, as frymëzues për shumicën e shqiptarëve, të lodhur nga lufta e vazhdueshme mes dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për më shumë se dy dekada.
Një betejë për ego, jo për qytetarët
Kthimi i kësaj fushate në një përballje personale “sy më sy” mes Ramës dhe Berishës nuk ka lidhje me qytetarët dhe sfidat reale që ata përballojnë çdo ditë. Problemet e e drejtësisë, infrastrukturës, korrupsioni, papunësia dhe largimi masiv i të rinjve nga vendi nuk do të zgjidhen nga retorika e fortë e Ramës kundër opozitës, as nga akuzat e Berishës për “qeverinë e krimit.”
Rama duket se po i shmanget përgjegjësisë për dështimet e mandatit të tij të tretë, duke thënë një të re të vjetër: fajin e ka Berisha, një figurë që nuk ka asnjë fuqi reale ekzekutive prej 13 vitesh. Nga ana tjetër, Berisha, me drejtësinë në shpinë dhe i sfiduar nga konflikti i brendshëm në PD, përpiqet të rikthejë një energji që në fakt është e konsumuar.
Pse ky duel nuk bind më?
Ky model fushate ka funksionuar në të kaluarën, kur shqiptarët ndaheshin qartë mes dy palëve politike dhe kërkonin heronj për të mbrojtur interesat e tyre. Por sot, pjesa më e madhe e elektoratit është e zhgënjyer dhe e distancuar nga loja politike e Ramës dhe Berishës. Shqiptarët kërkojnë zgjidhje konkrete për hallet e tyre, jo një duel narcisist ku dy liderë qëndrojnë në qendër të vëmendjes.
Fokusimi i Ramës tek vetja dhe përballja me Berishën nuk i adreson dështimet e mëdha të qeverisë, siç janë drejtësia e kapur, skandalet e korrupsionit dhe gjendja e rëndë në arsim e shëndetësi. Po ashtu, Berisha, pavarësisht kritikave të ashpra, nuk ofron një alternativë të qartë dhe bindëse dhe frymëzuese për të ardhmen.
Zgjedhjet e 11 majit: Një provë për qytetarët, jo për liderët
Zgjedhjet e 11 majit do të jenë përballje mes Ramës që ka dhënë Shqipërinë me koncension dhe Berishës që po sfidon moshën dhe të provojë shancin e fundit për PD-në, opozitën dhe shpëtim e vendit nga një mandat i katërt për Ramën që do ishte vrastar për qytetarët dhe problemet e përditshme të qyteteve shqiptare nuk do të zgjidhen nga sloganet e fuqishme, por nga politikat konkrete dhe liderët të vendosur që janë të aftë për të punuar për qytetarët dhe jo per të vjedhur vendin nga një grusht hajdutësh.
Edi Rama mund ta përdorë fushatën për të ringritur imazhin e tij në kurriz të opozitës, dhe Sali Berisha mund të përpiqet të sfidojë dominimin e PS-së. Por në fund, shqiptarët do të jenë ata që do të paguajnë koston e një tjetër cikli fushate që nuk ofron asgjë të re. Ndaj nëse Berisha dhe pjesa kryesore e opozitës do të mjaftohet me denoncime ne konferenca apo nuk do të merren fare me të “të rejat e Ramës” por do të zbresin në vatrat e qytetarëve duke i bindur se çfarë do të bëjë pas Ramës.
Në një vend ku problemet janë reale dhe të thella, është e pakuptimtë të vazhdohet me këtë teatër politik. Shqiptarët meritojnë më shumë sesa një fushatë që fokusohet në dy figura të konsumura dhe jo në zgjidhjen e halleve të tyre.