Rama dublon dhe triblon Veliajn në Tiranë: Kriza e Besimit në PS?
Në një lëvizje që ka trazuar jo pak politikën e brendshme të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka marrë një vendim të paprecedent, duke emëruar tre drejtues politikë për qarkun e Tiranës: Erion Veliajn, Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun. Ky veprim, i shpallur gjatë Asamblesë së PS-së, vjen në një moment kur Veliajt i janë rënduar akuzat për aferat korruptive, dhe duket se përforcon ndjesinë se kryeministri nuk i beson më kryebashkiakut të tij në mënyrë absolute.
Tirana është bërë i vetmi qark me tre drejtues, dhe ky fakt nuk është aspak rastësor. Pse një përjashtim kaq i madh për kryeqytetin? Kjo tregon se Rama nuk e lë më fatin e Tiranës vetëm në duart e Veliajt, i cili është përfshirë në skandale të njëpasnjëshme, nga dosja “5D” e deri te inceneratorët. Me shumicën e drejtorëve të tij tashmë në pranga dhe me një sërë kallëzimesh që janë dërguar në SPAK, Veliaj duket të jetë në një pozitë të brishtë.
A është kjo një masë kontrolli apo një lëvizje e menduar mirë për të siguruar rezultatet e ardhshme elektorale? Pavarësisht arsyes së dukshme, mesazhi është i qartë: Veliaj nuk është më i paprekshëm dhe ka humbur privilegjin e autonomisë në qeverisjen e Tiranës.
Rama, me këtë lëvizje, duket sikur i ka prerë krahët Veliajt duke e “tribluar” me Spiropalin dhe Manastirliun, dy figura të fuqishme dhe besnike ndaj tij. Ndoshta është një paralajmërim që i dërgohet jo vetëm Veliajt, por të gjithë atyre që kanë menduar se mbështetja e Ramës është e përjetshme. Ai, ndonëse i fuqishëm brenda partisë, tregon se nuk ngurron të sakrifikojë aleatët e tij, kur interesat e tij dhe të PS-së janë në lojë.
A do të arrijë Veliaj të ruajë ndikimin e tij në kryeqytet? Apo kjo është fillimi i fundit për të, duke u izoluar brenda një piramide politike të ndërtuar nga korrupsioni dhe interesat personale? Kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: Rama e ka bërë të qartë që asnjë figurë nuk është më e madhe se partia dhe fati i saj në zgjedhje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



