Rama firmos kullën 25-katëshe pranë sheshit Skënderbej, PD: Ja kush po i pastron paratë
“Edi Rama ka dhënë lejen e ndërtimit të një kulle 25-katëshe pikërisht mbi territorin e hotel Vjosës”. Një denoncim të fortë me dokumenta ka bërë sot, Partia Demokratike, e cila ka hedhur poshtë mashtrimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kishte deklaruar se në këtë truall do të ndërtohej një stacion, por në fakt, me firmën e Ramës provohet se trualli i është dhënë kullës së re në Tiranë.
Dy politikanët e PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Ina Zhupa, pikërisht nga trualli ku ka nisur të ngrihet kulla e re 25-katëshe, 85 metra e lartë, i kanë bërë thirrje Prokurorisë të hetojë këtë pastrim parash të pista nga ana e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
“Dikur këtu më parë ishte i quajturi hotel Vjosa, i cili sot nuk është më. Erion Veliaj shkatërroi të gjitha banesat historike, në një kohë kur vëmendja e njerëzve ishte diku tjetër, tek shkatërrimi I një tjetër ndërtimi historik siç ishte Teatri Kombëtar, – tha Alibeaj. U shkatërrua për ta vënë në dispozicion këtë truall të një përbindshi tjetër, 25 kate, me firmën e Edi Ramës, të kryebetonierit Erion Veliaj në dispozicion të arkitektit bashkëpunëtor të tyre, Vini Mass. Arkitekti që ka deklaruar se punon në Shqipëri vetëm me tre persona: Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Vangjush Dakon.
Ja ky është vendimi, i nënshkruar nga Edi Rama, i cili ka dhënë lejen e ndërtimit për kullën 25 katëshe që do të ndërtohet këtu pas nesh në territorin e hotel Vjosës.”

Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së, ka dhënë fakte se cilët janë pronarët e këtij ndërtimi, ku përfshihet edhe Edmond Bego, një biznesmen i njohur si trafikant droge, mik i Taulant Ballës.
Alibeaj dhe Zhupa theksuan se në këtë betonizim të Tiranës, për katër kullat që janë duke u ngritur përreth sheshit Skënderbej, bëhet fjalë vetëm për pastrim parash.
“Askush nuk ka për t’i gëzuar paratë e betonizimit, – përfundoi Alibeaj. – PD është e betuar se nëpërmjet sentencës “Ndiq paranë” do të gjejë të gjtihë rrënjet e korrupsionit dhe parave të pista që po pastrohen nëpërmjet Edi Ramës, Erion Veliajt dhe oligarkëve të tyre.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



