E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama i jep shtëpinë e jetimëve Idajet Ismailit të “Albstarit” për kulla 35 katëshe
Lajme

Rama i jep shtëpinë e jetimëve Idajet Ismailit të “Albstarit” për kulla 35 katëshe

Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka finalizuar në heshtje një nga marrëveshjet më të rëndësishme urbane të kohëve të fundit, duke nënshkruar kontratën për zhvillimin e një kompleksi kullash në truallin ku aktualisht ndodhet Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, në një prej zonave më strategjike të Tiranës, përgjatë Rrugës së Elbasanit.

Sipas dokumentacionit zyrtar, marrëveshja është firmosur më 4 qershor 2026 me shoqërinë “Motus” shpk, e shpallur fituese që në fillim të vitit pas një gare të organizuar nga AIC në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Në bazë të kontratës, kompania private do të zhvillojë një projekt multifunksional mbi truall publik, duke i kaluar 46% të sipërfaqes së ndërtimit Korporatës.

Pas kompanisë “Motus” qëndron sipërmarrësi Idajet Ismailaj, një emër i njohur në sektorin e ndërtimit, i lidhur me disa projekte të debatueshme. Ai rezulton gjithashtu aksioner në kompaninë “Alb-Star”, e cila ka realizuar ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare” dhe kullës përreth tij. Një tjetër kompani e lidhur me të, “Finnman”, është aktualisht e angazhuar në zhvillimin e një resorti në zonën e Manastirit, një projekt që ka nxitur reagime për shkak të intensitetit të ndërtimeve në një zonë të ndjeshme bregdetare.

Kontrata e fundit vjen disa muaj pas shpalljes së fituesve të konkursit ndërkombëtar për këtë truall, ku projekti i studios meksikane “Rojkind Arquitectos” u përzgjodh për zhvillimin e pjesës rezidenciale dhe komerciale. Projekti arkitektonik parashikon ndërtimin e tre kullave me lartësi 20, 25 dhe 35 kate, të ndërlidhura me ura funksionale dhe hapësira të përbashkëta moderne. Dy prej tyre do të kenë destinacion kryesisht banimi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimit do të fokusohet edhe në zhvillimin nëntokësor për parkime dhe shërbime mbështetëse.

Procesi i përzgjedhjes nuk ka qenë i zakonshëm, pasi juria vendosi të ndajë vlerësimin në dy pjesë, duke argumentuar se asnjë nga projektet finaliste nuk përmbushte plotësisht kriteret. Në këtë kuadër, një tjetër studio ndërkombëtare fitoi projektimin e kampusit të ri të jetimores dhe të godinave të institucioneve shtetërore që pritet të zhvendosen në një zonë tjetër të kryeqytetit.

Modeli i ndjekur nga AIC parashikon që investitori privat të financojë ndërtimin e infrastrukturës publike dhe institucioneve sociale, përfshirë kampusin e ri të “Zyber Hallullit”, ndërsa në këmbim përfiton të drejtën për zhvillimin e truallit ekzistues në një projekt me potencial të lartë fitimi.

Me hyrjen në fuqi të kontratës, projekti tashmë kalon në fazën e zbatimit, duke i hapur rrugë transformimit të një prej parcelave më të vlefshme në kryeqytet. Ndërtimi i kullave pritet të ndikojë ndjeshëm në fizionominë urbane të kësaj zone, duke ngritur njëkohësisht debate mbi përdorimin e hapësirave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Vlen të theksohet se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është kryer pa një komunikim të gjerë publik, pavarësisht ndikimit të madh ekonomik dhe urban që projekti pritet të ketë, si dhe rëndësisë historike dhe sociale që mbart institucioni ekzistues “Zyber Hallulli”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.