Rama nis mbledhjen e jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët: Sot do flasim për të vërteta!

Kryeministri Edi Rama ka nisur mbledhjen e jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët e tij siç ishte paralajmëruar.

Në fillim të mbledhjes ai kërcënoi se në tryezën e sotme do fliten vetëm të vërteta.

“Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar dëshiroj vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar që prej vitit 2013, kur morëm detyrën të merrnim Shqipërinë e vonuar, nga disa që bërtasin foltoreve apo penxhereve.

Bëhet një përpjekje për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës shqiptare që na kanë votuar dhe besuar pa kursim në gjithë këto vite.

Sot nuk do ndalem te gjysmë të vërtetat, që e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, as të shpifjet e rreme. Sot do flasim vetëm për të vërtetat, për ligjet dhe korrupsionin.

Qofshin të vërteta të ëmbla, që s’mund të mos jemi krenar, qofshin të hidhura për të cilat nuk ka si të mos na vijë mirë, por t’i shohim në sy siç janë”, tha Rama në nisje të mbledhjes.

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e Grupit të PS dhe kabinetit qeveritar duke thumbuar rivalët e tij politik, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Rama u shpreh se në vitin 2013 morën Shqipërinë e rrënuar, siç tha ai nga ata që ‘klithin ditë e natë apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve’.

Ju rikujtojmë se në mesazhin e dërguar deputetëve, këta të fundit janë porositur që të mos mungojnë dhe të jenë disa minuta përpara nisjes së mbledhjes të pranishëm në kryesinë e kuvendit.

Gjithashtu ditën e sotme pjesë e fjalës së Ramës do të jetë edhe drejtësia, në një kohë kur shumë zyrtarë të korruptuar janë në dyert e SPAK.

30 minuta përpara mbledhjes së grupit parlamentar, kryeministri Rama u takua në Kryesinë e Kuvendit me 5 kryetarët e komisioneve që janë në radhët e partisë socialiste.

Pas mbledhjes, kreu i qeverisë do të niset drejt Gjermanisë për një vizitë dy ditore pune.

Në fund të kësaj jave, Rama do të nisë turin me diasporën, ku ndalesën e parë e ka më 12 maj në Athinë.

Publikuar nga Publik Media