Rama për zgjedhjet e 11 Majit: PS e çon Shqipërinë në BE, opozita rrezikon shkrirjen e SPAK
Tiranë, 10 Mars 2025 – Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë mëngjes grupin parlamentar socialist, ku theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të zgjedhjeve të 11 Majit, duke i cilësuar si vendimtare për rrugën evropiane të Shqipërisë.
Gjatë takimit të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, kreu i qeverisë paralajmëroi se fitorja e opozitës do të sillte rrezikun e shkrirjes së SPAK dhe dobësimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Të gjithë duhet të vetëdijësohen për peshën e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve. Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE dhe ky është një moment kritik. Të tjerët janë betuar se do të shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do të neutralizojnë SPAK-un, një skenar i rrezikshëm për të ardhmen e vendit,” deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se vetëm Partia Socialiste ka kapacitetin për të drejtuar vendin drejt BE-së dhe për të garantuar stabilitetin e Shqipërisë në një kontekst të ndërlikuar ndërkombëtar.
“Ne jemi shumë të vegjël për të ndikuar në zhvillimet globale, por shumë të rëndësishëm për të mos e lënë fatin tonë në duart e forcave që synojnë të rikthejnë Shqipërinë në kaos dhe izolim. Pa PS-në, Shqipëria mbetet në vendnumëro,” u shpreh ai.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur fushata për zgjedhjet vendore të 11 Majit pritet të hyjë në fazën e saj më intensive, me përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës që po ashpërsohen dita-ditës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



