E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama ‘rreshton’ kryebashkiakët: Bëni autokritikë!
Lajme

Rama ‘rreshton’ kryebashkiakët: Bëni autokritikë!

Kryeministri Edi Rama ka “vënë në rresht” disa nga kryebashkiakët gjatë një takimi pune për Paketën e Maleve, duke shprehur pakënaqësi për vonesat në dorëzimin e hartave të zonave përkatëse. Me tone ironike, por edhe me kritikë të hapur, kreu i qeverisë i mori bashkitë një nga një, duke kërkuar që porositë të përmbushen brenda afateve të përcaktuara.

Pas bashkive të Kuçovës, Dimalit, Shkodrës dhe Kukësit, Rama ndaloi tek kryebashkiaku i Devollit, të cilit iu drejtua me batutë, duke i kujtuar problemet e mëparshme me karburantet:

“Më dëgjon ti, kryebashkiaku i Devollit? I mbylle ato punët e karburanteve, po tani pse nuk i sillni hartat?”

Kryeministri vijoi me bashkinë e Pogradecit, një qytet që ai e përshkroi si “liqenor e plot bukuri natyrore”, por që ende nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e kërkuar:

“Duhet të vijë harta e Paketës së Maleve. Ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec, tani dua të më sjellësh hartat,” – tha Rama, ndërsa kryebashkiaku i Pogradecit pohoi se po punonte për realizimin e detyrës.

Në “listën e kritikës” hyri edhe kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila u vu në qendër të vëmendjes pasi Rama i kërkoi publikisht të bënte autokritikë.

“Nuk i kam sjellë hartat, është e vërteta,” – pranoi Bufi, ndërsa Rama ia ktheu:
“Mirë pra, po bëj autokritikë!”

Bufi u ngrit dhe e mori fjalën, duke u shprehur se përgjegjësia ishte e përbashkët për të gjitha bashkitë që nuk kishin dorëzuar hartat në kohë.

“Bëj autokritikë jo vetëm për veten, por për të gjithë ne që s’i kemi sjellë ende. Jemi në proces dhe faleminderit që nuk na kritikove më shumë,” – tha ajo me ironi.

Rama, nga ana tjetër, e lavdëroi për punën e bërë deri më tani, por e qortoi për vonesën, duke i kujtuar se edhe bashki më të vogla si Memaliaj kishin qenë më të shpejta:

“Ti ke bërë shumë punë, por që të mbetesh pas me Memaliajn, nuk kuptohet!”

Takimi vijoi me të tjerë kryebashkiakë, ndërsa Rama kërkoi ritëm më të lartë në përmbushjen e detyrave për Paketën e Maleve, duke lënë të kuptohet se qeveria nuk do të tolerojë më zvarritje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.