Rama shkarkon Anuela Ristanin dhe nënkryetarët
Rama shkarkon Anuela Ristanin dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranë kërkon “fytyra të reja” për kryeqytetin
Një “furtunë politike” ka goditur Bashkinë e Tiranës pas një mbledhjeje të zhvilluar këtë të hënë mes kryeministrit Edi Rama, deputetëve socialistë të kryeqytetit dhe drejtuesve aktualë të bashkisë. Burime të sigurta konfirmojnë për Publik.al se gjatë këtij takimi janë marrë vendime të rëndësishme që përfshijnë ndryshime rrënjësore në drejtimin lokal të Tiranës.
Në krye të listës së të shkarkuarve është Anuela Ristani, e cila mbante postin e kryetares në detyrë të Bashkisë së Tiranës që prej arrestimit të Erion Veliajt. Vendimi i Ramës për largimin e saj vjen si një sinjal i qartë i pakënaqësisë me performancën e deritanishme dhe nevojës për një “rinovim të thellë”.
Ndryshimet nuk ndalen me Ristanin. Mësohet se edhe nënkryetarët e tjerë të bashkisë janë përfshirë në listën e largimeve, duke i hapur rrugë një riformatimi të plotë të administratës vendore.
Kryeministri ka kërkuar identifikimin dhe përzgjedhjen e “burimeve të reja njerëzore” për të marrë përsipër menaxhimin e sektorëve kyç të bashkisë, me qëllim rikthimin e besimit publik dhe garantimin e funksionimit efikas të institucioneve vendore në kryeqytet.
Ky zhvillim vjen në një moment të tensionuar për qeverinë, e cila ndodhet nën presion të shtuar për të treguar vullnet për pastrimin e administratës nga korrupsioni dhe paaftësia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



