E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama tregon si janë miratuar procedurat e inceneratorëve
Lajme

Rama tregon si janë miratuar procedurat e inceneratorëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se ai nuk i di në detaje të gjitha vendimet që firmos dhe se ky proces ndodh pa i parë dokumentet, por vetëm hedh firmën në secilën prej tyre.

Këtë veprim, kreu i qeverisë e justifikon me faktin që çdo dokument që paraqitet pranë tij për firmë, ka kaluar në një zinxhir të tërë institucional dhe ligjor. Ishte deputeti Belind Këlliçi, që i tregoi Kryeministrit një dokument ku pretendon se kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë mendim për dhënien e koncesionit të impiantit në kryeqytet për shfrytëzim për 30 vite. Në përgjigje, Kryeministri Rama i shpjegoi se si funksionon procesi i hedhjes së firmës. “Një vendim është në tavolinë pasi është bërë i gjithë diskutimi. Është rënë dakord, është thënë si do arrihet. U vendosën të gjitha këto, në momentin që fillon procesi, janë totalisht gjëra të tjera. Më vijnë të gjitha ato dosjet, unë firmos tak-tak. Firma ime është e fundit pasi ka kaluar një zinxhir të tërë. Unë nuk hyj në detaje të natyrës juridike, nuk janë të mia”, tha Rama, ndërsa më herët pohoi që nuk i njeh tre pronarët e kompanive të shpallur në kërkim.

SUPERVIZORI

Deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati e pyeti Kryeministrin se si ka mundësi që pronari i tre koncesioneve, përzgjodhi dhe pagoi vetë supervizorin e tij për llogari të shtetit. Për kreun e qeverisë ky është një veprim që parashikohet në ligj, për të cilin shprehu edhe vetë atij i tingëllon keq. “Unë nuk thashë këtë, unë thashë që unë kam një kornizë që unë punoj. Roli im është i përcaktuar unë nuk merrem me supervizorë, kjo është kryerja e detyrës së tyre. Ligji e ka kështu që supervizorin e zgjedh kompania me disa alternativa. Komisioni të sjellë dhe rekomandime, rekomandoni që kemi parë këtë gjë dhe ta shikojmë. Edhe mua kur e dëgjoj kështu siç e thua ti, më tingëllon keq. Këtë e ka ligji, por me shumë gjasë ekspertët mund të thonë që dale ju e keni gabim”, tha Rama. Nga ana e tij, deputeti i PD-së iu kthye kreut të qeverisë, duke i thënë se kjo dispozitë është vendosur apostafat në kontratë për të favorizuar koncesionarin nga supervizori. “Në kontratë apostafat është vendosur kjo dispozitë e tillë e jashtëligjshme. Nuk ka nevojë për të ndryshuar ligjin, por duhet zbatuar ligji. Është vendosur qëllimisht në kontratë kjo klauzolë”, tha Bushati. Pyetjes së Bushatit në lidhje me faktin se pse nuk është bërë prokurim publik për zgjedhjen e kompanive për inceneratorët e Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës, Rama tha se procedura ka qenë ligjore, “një procedure me një formule të kombinuar”. Kujtojmë që supervizori i kompanive të inceneratorëve është kompania “Ave Consulting” sh.p.k. me drejtues Arben Dervishaj, i cili ishte paguar mbi 700 mijë dollar për konsulencën e dhënë ndaj Klodian Zotos. Emri i zyrtarit të FSHF-së, anëtar i Komiteti ekzekutiv, u bë i ditur nga vetë administratorja Arjola Kodra. Sipas opozitës, supervizori nuk e ka kryer detyrën e tij për të kontrolluar efektivitetin e shpenzimeve apo punën e kryer në incenerator.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.