Veliaj urdhër policisë bashkiake të ndalohet Jonida Halili që emëroi Rama, të futet në godinë!


Përplasja për Bashkinë e Tiranës: Veliaj firmos nga qelia, Rama kundërvepron
Një përplasje e paprecedentë politike po zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste, teksa përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryebashkiakut Erion Veliaj janë reflektuar në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Veliaj firmos nga qelia
Burime të besueshme konfirmojnë se Erion Veliaj ka firmosur nga qelia një urdhër zyrtar të datës 19 mars, duke i deleguar kompetencat e kryetarit të bashkisë Sara Goxhajt, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të tij. Ky vendim ka qenë një akt sfidues ndaj një urdhri të mëparshëm të vetë kryeministrit Edi Rama, i cili kishte caktuar si drejtuese të Bashkisë së Tiranës Anuela Ristanin.
Por pavarësisht vendimit të Veliajt, lëvizja e tij është kundërshtuar menjëherë nga kreu i qeverisë.
Rama ndërhyn direkt: Shkarkime të menjëhershme
Sipas burimeve, sapo ka marrë njoftimin për emërimin e Sara Goxhajt, Edi Rama ka ndërhyrë personalisht duke shkuar vetë në Bashkinë e Tiranës mbrëmjen e kaluar. Ai ka urdhëruar protokollin që të zhbëjë vendimin e Veliajt dhe të firmosë menjëherë shkarkimin e Alban Dokushit dhe Sara Goxhajt.
Ndërkohë, Policia Bashkiake është urdhëruar që të mos lejojë hyrjen në institucion të dyshes Dokushi – Goxhaj, duke e bërë të qartë se urdhri i Ramës është i panegociueshëm.

Burime bëjnë me dije se Rama pas shkarkimit të Alban Dokushit si Sekretar i Përgjithshëm ka emëruar Jonida Halilin në këtë post, e cila më parë ka mbajtur postin e zv/kryetares së Bashkisë.
Ky veprim i Ramës nuk është pritur mirë nga Veliaj, i cili nga burgu i Durrësit ka urdhëruar policinë Bashkiake në Tiranë që ruan institucionin e Bashkisë që mos të lejojnë hyrjen e Halilit në Bashki. Bashkia tashmë është e paralizuar dhe për momentin merr urdhëra vetëm nga qelia e burgut të Durrësit.
Pas arresimit të Veliajt, në krye të Bashkisë Tiranë me pëlqimin e Ramës është vendosur Anuela Ristani. Por kjo e fundit nuk ka marrë aprovimin e Veliajt, i cili me datë 18 mars nga burgu i Durrësit ka firmosur dokumentin që ia delegon detyrat e tij Sara Goxhajt. Menjëherë pas marrjes se njoftimit, Rama ka shkuar në Bashkinë Tiranë dhe ka urdhëruar protokollin që të zhbëj veprimet e Veliajt. Dhe duke shkarkuar Dokushin dhe Goxhajn, dy të besuarit e Veliajt në Bashkinë Tiranë, Rama ka marrë komplet kontrollin e institucionit që vetë e drejton nga jashtë.
Një vendim juridikisht i paqartë
Ajo që mbetet e paqartë në këtë situatë kaotike është baza ligjore e anulimit të vendimit të Veliajt dhe më pas shkarkimi i emëruarve prej tij. Sipas rregullave në fuqi, ndryshimet në krye të bashkisë mund të bëhen vetëm nga Këshilli Bashkiak ose nga vetë Kryetari në detyrë, që ligjërisht vijon të jetë Veliaj deri në një vendim të ri gjyqësor.
Përplasja Rama-Veliaj del në sipërfaqe
Kjo lëvizje e fundit ka nxjerrë edhe më hapur përplasjen mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, një betejë që sipas burimeve ka nisur prej muajsh, por tani po shfaqet hapur edhe në aspektin institucional.
Në qarqet mediatike po qarkullojnë hipoteza të ndryshme mbi thellimin e krizës brenda mazhorancës, ndërsa zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës tregojnë se kjo përballje politike mund të jetë vetëm fillimi i një lufte më të madhe për pushtet.
Si do të evoluojë situata në ditët në vijim? Mbetet për t’u parë nëse Këshilli Bashkiak, institucionet e tjera apo vetë drejtësia do të ndërhyjnë për të sqaruar ligjshmërinë e vendimeve të njëpasnjëshme.
Një gjë është e qartë: Bashkia e Tiranës është kthyer në arenën e një lufte të hapur politike, ku asgjë nuk është e sigurt dhe gjithçka mund të ndodhë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



