E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Reagon grupi ‘Për PD’ :  Prisnim dorëheqjen Bashës! .
Publik News

Reagon grupi ‘Për PD’ : Prisnim dorëheqjen Bashës! .

Grupi ‘Për PD’ ka dalë në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Grupi per PD-Imami-Nishani-Harxhi-Kulluri-Ibsen-elezi (3)

Në sqarimin e këtij grupimi thuhet se pritet një analizë e thellë e zgjedhjeve, ndërsa qëndrojnë sërish tek kërkesa e tyre se prisnin dorëheqjen e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Sipas tyre, Këshilli nuk e trajtoi problem themelor, duke shtuar se “demokratët prisnin një analizë”.

“Grupi “Për PD-në” vlerëson se mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike e cila kishte si temë të paracaktuar masakrën elektorale të Edi Ramës, në fakt projektoi masakrën elektorale të Lulzim Bashës. Kur të gjithë demokratët prisnin një analizë të thellë të zgjedhjeve të 25 prillit, marrjen e përgjegjësive dhe dorëheqjen e Kryetarit të Partisë, Lulzim Basha vendosi hapjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar partie. Ky vendim tregon se shqetësimi i Lulzim Bashës nuk është humbja e turpshme e zgjedhjeve të 25 prillit, as masakra elektorale por mbajtja e karriges së Kryetarit.

Ai nuk priti as vendimet gjyqësore dhe as certifikimin e zgjedhjeve për të cilët akuzoi për dy javë kundërshtarët e tij në parti, por ai rendi të certifikonte veten e tij si kryetar. Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë por eliminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar”.

Më tej grupi “Për PD” thekson se Kryetari i Partisë emëroi në mënyrë krejtësisht të njëanshme një komision zgjedhor.

“Pra, ky komision zgjedhor është vegël e kryetarit dhe nuk siguron kushte të barabarta për konkurrencë të ndershme. Komisioni i emëruar prej kryetarit do të përcaktojë edhe kriteret e pranimit të kandidadurave. Pra, Kryetari përcakton kundërshtarët e tij. Vendimi i Këshillit Kombëtar nuk trajtoi problemin themelor të zgjedhjeve për kryetarin e partisë në vitin 2017 që janë listat e anëtarësisë. Listat janë fiktive dhe nuk përfaqësojne realisht anëtarësinë dhe nuk ka transparencë në të gjithë këtë proces. Atëherë pyesim Z. Basha si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Parti kur njëra palë kontrollon komisionin zgjedhor, listat e anëtarësisë, dhe kriteret e pranimit të kandidatëve?

Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në parti kur Kryetari që humbi zgjedhjet për herë të katërt, nuk jep dorëheqjen dhe rikandidon duke përdorur administratën dhe të gjitha burimet e tjera të partisë? Si mund të marrë vendim për kandidatët për Kryetar Partie, Kryesia e Partisë anëtarët e të cilës kudo që ishin në garë kanë humbur? Këto janë asgjë tjetër veçse vazhdim i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, me të njëjtat metoda dhe mjete”.

Grupi “Për PD-në” i cili ka synuar marrjen e përgjegjësive politike nga Kryetari dhe Kryesia për humbjen e zgjedhjeve parlamentare, analizën dhe reformën në Partinë Demokratike, vlerëson se ky proces është i deformuar që në zanafillë, ndërsa janë të bindur për të vazhduar këtë betejë politike.

Ish- presidenti Nishani  ka reaguar me një shënim në FB

Të dashur miq demokratë !
Dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për Partinë Demokratike, por pa e tepruar edhe për Shqipërinë !
Për Partinë Demokratike, pasi ishte rasti të shprehej vullneti, skicohej platforma dhe krijohej hapësira pë të nisur një proçes të vërtetë reformimi, ringritje, bashkimi, forcimi me synim kryesor kthimin e besimit të shumicës së shqiptarëve tek Partia Demokratike.
Për Shqipërinë, sepse është domosdoshmëri ekzistenca e alternativës qeverisëse ndaj një qeverie e cila pas 8 (tetë) vitesh dështimesh, korrupsioni, skandalesh, shkatërrimi institucionesh do vijojë të bëhet edhe më arrogante, më e korruptuar, më e dhunëshme, më mospërfillëse, më tradhëtare !
Por për fatin e keq të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë, lidershipi aktual e posaçërisht L. Basha pasi dështuan ta ngrenë PD në parti të parë e fituese para 25 prillit tani nisën çmontimin e çdo vlere, trashëgimie pozitive, mundësie ringritje dhe transformimi qytetar të Partisë Demokratike !
Dje, L. Basha përtej retorikës tallëse e të gënjeshtërt ndaj demokratëve, konfirmoi se në shtator do të hyjë në Parlament, çka konfirmon kthimin e PD në një fasadë të masakrës elektorale.
L. Bashës i intereson veç vula dhe karrigia e vulëmbajtësit dhe aspak fare, halli, vuajtjet, sakrificat e mijëra demokratëve apo kolapsi i shtetit të shqiptarëve.
Deri dje, L. Basha, ankohej pse kritikët nuk prisnin përfundimin e ankimimeve, hetimeve të kasapanës, por vetë nuk priti as të dëgjojë zërin e demokratëve të bazës, të shqiptarëve të thjeshtë se çfarë mendojnë ata e në mesnatë shpalli farsën e rradhës për vulën dhe karrigen e vulëmbajtësit të Partisë Demokratike, pa mbaruar as afatet e përmbylljes së ankimeve që ka bërë po vetë !!!!!!!
Shërbim më të denjë ndaj masakruesit të zgjedhjeve, dhunuesit të demokratëve, shkatërruesit të Shqipërisë, që është Edi Rama, nuk mund të ketë.
Tashmë misioni i vërtetë i L. Bashës po kuptohet e qartësohet çdo ditë e më mirë.
Nuk ka asnjë merak për të respektuar sakrificat e demokratëve, asnjë dëshirë për fitoren e PD, asnjë synim për të ndihmuar e shpëtuar Shqipërinë.
Një kryetar i cili merr vendime në një sallë me më pak se 100 (njëqind) persona të pranishëm, ku domosdoshmërisht duhet të jenë mbi 200 (dyqind) të tillë,
Një kryetar që përcakton për konkuruesit e tjerë vetëm 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë për të bërë fushatë në 60 (gjashtëdhjetë) degë, qartëson fare mirë qëllimin e vërtetë !
Qëllimi është Vula dhe Karrigia e vulëmbajtësit e jo rritja e Partisë Demokratike, as zhvillimi i Demokracisë si vlerë e jo e jo sakrifica e puna për të ndryshuar Shqipërinë !
Në të vërtetë kjo që nisi dje është fillimi i fundit politik të L. Bashës dhe platformës së asgjesimit të Partisë Demokratike !
Nga dje ka nisur një përgjegjësi dhe detyrë historike për Demokratët anekënd Shqipërisë.
#PërPD 🇦🇱

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.