Reagon Partia Demokratike: Ja si qëndron e vërteta
PD thotë se nuk ka pasur asnjë takim Basha-Rama, dhe kjo është një gënjeshtër për të mbuluar vjedhjen e votave.
“Nuk ka patur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, thuhet në një deklaratë të shkurtër për mediat nga selia blu.
Kreu i qeverisë Rama gjatë konferencës së përbashkët për media me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se dora e mazhorancës do vazhdojë të mbetet e shtrirë për opozitën, duke u shprehur se është gati për bashkëpunim pa kushte me PD-në.
Sjellim në vëmendje që gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit Basha ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes me PS-në. Gjatë takimit të mbajtur sot me Komisionerin e BE, kryedemokrati ngriti shqetësimin për manipulimin e votave në zgjedhjet e 25 prillit.

Kreu i selisë blu e njohu Komisionerin me pretendimet e tij për përdorim të personave me precedentë penalë, administratës, nxjerrjen e të dhënave personale të shtetasve nga PS, si dhe përdorimin e parave të buxhetit të shtetit dhe legalizimeve në zgjedhje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



