Renido Petritaj dhe Xhetan Ndregjoni,përlajnë 6 miliardë lekë nga FSHZH
Dritan Agolli ua jep me ofertën më të shtrenjtë
Një tjetër tender me “flamur të kuq” korrupsioni mban firmën e Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH). Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Përmirësimi i Infrastrukturës së Parkimit – Faza II: Ndërtimi i parkimit nëntokësor dhe godinës administrative në Himarë”, me fond limit 574,994,506 lekë pa TVSH, financuar nga buxheti i shtetit për vitet 2025–2027.
Sipas Open Data Albania, procedura është shënuar me “Skualifikim të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit”, ndërkohë që fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët, një indikator klasik i riskut të lartë për korrupsion.
Oferta më e shtrenjtë shpallet fituese

Në tender morën pjesë 20 operatorë ekonomikë, por 13 prej tyre u skualifikuan, duke eliminuar çdo garë reale. Më 11 nëntor 2025 u shpall fituese oferta e bashkimit të operatorëve:
“NDREGJONI” sh.p.k & “RAFIN COMPANY” sh.p.k
Vlera: 418,352,516 lekë pa TVSH
Por dokumentet tregojnë se kishte oferta ndjeshëm më të ulëta:
- “GJIKURIA” sh.p.k – 373,194,052 lekë pa TVSH
- “INERTI” sh.p.k – 408,592,365.69 lekë pa TVSH
Të dyja u skualifikuan për arsye procedurale, pa u ndjekur praktika ligjore e kërkimit të sqarimeve, çka ngre dyshime serioze për paracaktim të fituesit dhe manipulim të garës.
Kush janë përfituesit realë?
Fituesi i tenderit bashkon dy emra të njohur të prokurimeve problematike:
Xhetan Ndregjoni, pronar i “Ndregjoni” sh.p.k, përfitues i statusit “Investitor Strategjik” dhe i kontratës famëkeqe 1 euro për projektin “Marina di Valona”, përmes VKM nr. 599, datë 13.10.2021. Statusi strategjik i ka hapur rrugë një sërë tenderash pa garë dhe favorizimesh nga institucionet publike.
Renido Petritaj, pronar i “RAFIN COMPANY”, kompani e krijuar në vitin 2017 me kapital 100 lekë, por që brenda pak vitesh ka përfituar dhjetëra milionë euro tendera publikë, kryesisht nga Bashkia Tiranë, FSHZH dhe institucione të tjera qendrore. Shumica e këtyre kontratave janë shënuar me indikatorë risku, mungesë konkurrence dhe diferencë minimale nga fondi limit.
Skema që përsëritet
Rasti i Himarës nuk është i izoluar. Ndregjoni dhe Petritaj kanë bashkëpunuar më herët në tendera të Bashkisë Tiranë dhe institucioneve të tjera, ku skema është e njëjtë:
- fond limit i fryrë,
- skualifikim masiv i operatorëve,
- shpallje fituese e ofertës më të shtrenjtë,
- mungesë hetimi nga organet e kontrollit.
Tenderi i Himarës përfaqëson një model klasik të kapjes së fondeve publike, ku paratë e buxhetit qarkullojnë mes një grushti kompanish të privilegjuara, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të FSHZH-së. Në një shtet normal, kjo procedurë do të ishte objekt hetimi penal. Në Shqipëri, ajo vuloset me firmë dhe vazhdon si zakonisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



