Rënie gurësh në rrugë si pasojë e shiut në Qarkun e Kukësit
Reshjet e dendura të shiut, që kanë nisur nga veriu i vendit, kanë përfshirë edhe zonat e Tiranës dhe Durrësit, duke shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor dhe përmbytje në disa zona urbane.
Situata paraqitet më problematike në Qarkun e Kukësit, ku i gjithë territori vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë. Si pasojë, disa akse rrugore janë bllokuar përkohësisht nga rënia e gurëve dhe inerteve, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Autoritetet lokale bëjnë me dije se rrugët nacionale janë nën trysni të vazhdueshme dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar.
Ndërkohë, situata në Durrës mbetet e rënduar për shkak të reshjeve të dendura. Një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar dhe është sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit, pasi banesa e saj u përmbyt nga uji.
Prefekti i Qarkut Durrës, Emiljan Jani, ka deklaruar se pavarësisht se hidrovoret janë në funksionim të plotë, problematika vijon në disa zona të qytetit. Ai ka rekomanduar shmangien e lëvizjeve të panevojshme deri në përmirësimin e situatës, ndërsa nxënësit dhe mësuesit janë njoftuar përmes grupeve të komunikimit për masat që duhen marrë.
Vështirësi janë shënuar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e lartë e ujit në disa segmente ka bërë që disa automjete të mbeten të fikura në rrugë, duke krijuar ngadalësime dhe rrezik për qarkullimin.
Sipas autoriteteve vendore, intensiteti i reshjeve ka qenë më i lartë se parashikimet meteorologjike, të cilat flisnin për reshje mesatare gjatë ditës së sotme, veçanërisht në zonën e Durrësit. Strukturat e emergjencës vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



