Reuters: Rama mbron financimin 4 ml € të koncertit të Kanye West
Tiranë, 9 korrik (Reuters) – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrojti të mërkurën vendimin e qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West (Ye), ndërsa përpiqet të zbusë reagimet e forta publike që kanë shoqëruar këtë vendim dhe që kanë shtuar presionin ndaj qeverisë.
Kanye West, i njohur edhe si Ye, është përballur këtë verë me ndalime të performancave në disa vende europiane pas deklaratave të tij, të cilat kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me simbole naziste.
Koncerti është planifikuar të zhvillohet më 11 korrik, në periferi të Tiranës, në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet.
Në një reagim në Facebook, kryeministri Rama deklaroi se fondi prej 4 milionë eurosh u miratua në momentet e fundit për të shmangur dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.
“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë afro 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende të botës, të cilët kishin blerë tashmë biletat për koncertin e Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se ai mund të anulohej”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, eventi pritet t’i sjellë ekonomisë shqiptare të paktën 100 milionë euro të ardhura, si rezultat i rritjes së rezervimeve në hotele dhe akomodime gjatë ditëve të koncertit.
Megjithatë, deklarata e Ramës u shoqërua me reagime të shumta kritike në rrjetet sociale.
“Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin”, shkroi një komentues. Një tjetër reagoi: “Turp! Jo me paratë e mia.”
Sipas Reuters, protestat e përditshme në Tiranë vazhdojnë prej më shumë se një muaji. Fillimisht ato nisën kundër projektit për një resort luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ndërsa më pas u zgjeruan duke përfshirë kundërshtime ndaj projekteve të tjera të zhvillimit në zonat bregdetare pranë territoreve të mbrojtura.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion, akuza që kryeministri i ka mohuar vazhdimisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


