Rezultoi pa sukses, zbardhen detaje nga operacioni i RENEA-s
Zbarkoi për të shumëkërkuarin Elson Reçi, por në Shqipëri kishte hyrë vëllai i tij
Forcat RENEA dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një operacion në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në zonën e Mirditës, pas një sinjalizimi se në territorin shqiptar mund të kishte hyrë Elson Reçi, një nga personat më të kërkuar nga SPAK.
Burime nga terreni bëjnë me dije se efektivët kanë ushtruar kontrolle në banesën e tij, si edhe në disa lokacione të tjera të konsideruara me interes, në përpjekje për të lokalizuar të shumëkërkuarin. Megjithatë, operacioni nuk ka dhënë rezultat, pasi nuk është konstatuar asnjë gjurmë e tij.
Pas verifikimeve të mëtejshme, autoritetet kanë sqaruar se në Shqipëri nuk kishte hyrë Elson Reçi, por vëllai i tij, çka ka çuar në një alarm të rremë dhe mobilizim të gjerë të strukturave policore.
Elson Reçi konsiderohet një emër i njohur për drejtësinë, pasi lidhet me ngjarje të rënda kriminale. Ai është nipi i Kastriot Reçit, i cili u ekzekutua me snajper në Rrëshen. Sipas hetimeve të SPAK, Reçi dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për atentatin ndaj Preng Gjinit, një kundërshtar i tyre, i cili i mbijetoi një shpërthimi me sasi të konsiderueshme tritoli në automjetin e tij.
Në 15 maj 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje për gjakmarrje” të mbetur në tentativë, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, si dhe vepra të tjera që lidhen me armë, lëndë shpërthyese dhe aktivitet kriminal në kuadër të një grupi të strukturuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



