E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rindeshja e Macron dhe Le Pen si në 2017-ën, sa shanse ka të rizgjidhet presidenti aktual?
Lajme

Rindeshja e Macron dhe Le Pen si në 2017-ën, sa shanse ka të rizgjidhet presidenti aktual?

Analiza e CNN për balotazhin në Francë

 

Francezët votuan të dielën e 10 prillit për Presidentin e ri të vendit, por siç pritej, për kreun e ri të shtetit do të ketë një raund të dytë.

1

As presidenti aktual Macron, as nacionalistja Le Pen nuk e arritën dot shumicën absolute.

Macron, duket se ka siguruar 28.6% të votave nga raundi i parë i zgjedhjeve të dielën, duke e vendosur atë në vendin e parë, ndërsa Le Pen, ka dalë e dyta me 23.6% të votave.

Dymbëdhjetë kandidatë konkurruan për postin e lartë. Meqenëse asnjëri prej tyre nuk mori më shumë se 50% të votave në raundin e parë, Macron dhe Le Pen do të përballen me njëri-tjetrin në balotazhin e 24 prillit.

Nga një analizë e rezultateve të para të dala pas mbylljes së kutive të votimit, CNN shkruan se ata do të rindeshen si në garën e 2017-ës.

Sondazhi nga Ifop-Fiducial i publikuar të dielën tregoi se Macron do ta fitonte me gjasë garën në raundin e dytë kundër Le Pen me një diferencë të vogël, vetëm 51% ndaj 49% për Le Pen, shkruan CNN.

Mbështetja për Le Pen është rritur në mënyrë të vazhdueshme javët e fundit.

Megjithëse ajo njihet më së shumti për politikat e saj të së djathtës ekstreme, si kufizimi drastik i imigrimit dhe ndalimi i mbajtjes së shamive nga besimtarët muslimanë në vende publike, ajo ka drejtuar një fushatë më të zakonshme këtë herë, duke zbutur gjuhën e saj dhe duke u fokusuar më shumë në çështjet ekonomike, si rritja e kostos së jetesës, një shqetësim kryesor ky për elektoratin francez.

Në fjalimin e saj të dielën, Le Pen u zotua se do të jetë presidente e “të gjithë francezëve” nëse fiton raundin e dytë dhe u bëri thirrje atyre që nuk votuan për Macron ta mbështesin atë në raundin e dytë.

Që prej dy dekadash, asnjë president francez nuk ka fituar një mandat të dytë në detyrë.

Macron po kërkon të bëhet presidenti i parë francez që rizgjidhet President që nga koha kur Zhak Shirak u rizgjodh në 2002.

Rindeshja

Macron mundi Le Pen pesë vjet më parë, por ekspertët kanë thënë se një garë e dytë mes të dyve do të ishte shumë më e fortë se gara e 2017-ës.

Macron nuk është më në fillimet e tij politike dhe tani kandidon me një histori të përzier pas tij.

Ndërsa plani i tij ambicioz për të forcuar autonominë dhe peshën gjeopolitike të Bashkimit Evropian i dha atij respekt jashtë dhe brenda endit, ai mbetet një figurë përçarëse kur bëhet fjalë për politikat e brendshme, shkruan CNN.

Trajtimi që ai i bëri lëvizjes së jelekëve të verdhë, një nga protestat më të zgjatura në kohë në Francë prej dekadash, e ka “goditur atë” dhe rezultatet e politikave të tij për pandeminë Covid-19 nuk janë përfundimtare.

Politika e nënshkruara nga Macron gjatë krizës së pandemisë, që i kërkonin njerëzve të tregonin pasaportat e vaksinimit për të vijuar jetën normalisht, ndihmoi në rritjen e normave të vaksinimit, por bëri që një pakicë e zëshme të ngrihej kundër presidencës së tij.

“Pakënaqësia e përhapur ndaj Macron (veçanërisht në mesin e të rinjve) do të thotë se rezultati është i pasigurt dhe i paparashikueshëm. Le Pen do të vazhdojë ta shfrytëzojë këtë dhe një trazirë e madhe politike mbetet e mundshme,” tha komentatori i çështjeve evropiane të CNN, Dominic Thomas.

“Sado që ata të mos e pëlqejnë Le Penin, ka shumë dallime mes saj dhe Macron-it dhe se si ajo do të rrezikonte politikën evropiane dhe globale”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.