Romanca virtuale e Metës dhe Kryemadhit: Në divorc por jo në “unfollow”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe Monika Kryemadhi duket se kanë gjetur mënyra të reja për të ruajtur lidhjet e tyre, edhe pse formalisht janë në mes të një procesi divorci. Pavarësisht se po ndahen në jetë, rrjetet sociale nuk janë fushëbetejë për ta. Të dy ndjekin njëri-tjetrin në Instagram dhe Facebook, duke treguar se divorci nuk i ka ndarë plotësisht, të paktën në botën virtuale.
Në rrjetet sociale, dyshja e famshme po shfaqet më energjikë se kurrë. Kryemadhi, me kafe në dorë dhe në ritmin e muzikës, shëtit rrugët e Tiranës me makinën e saj luksoze. Ndërkohë, Meta, duke mos mbetur pas, po eksploron natyrën shqiptare, me hedhje spektakolare në lumenj dhe dete. Në një video të fundit, ish-presidenti është kapur duke kërcyer me entuziazëm, nën shoqërinë e humoristit Bes Kallaku, në një festë plot ritëm dhe tupana.
Kjo periudhë e re për çiftin vjen pasi Meta njoftoi në qershor nisjen e procedurave të divorcit, pas një martese që zgjati 26 vite dhe një bashkëjetese politike që zgjat edhe më shumë.
Pavarësisht ndarjes, tensionet mes tyre janë bërë të dukshme edhe politikisht. Riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë la jashtë Kryemadhin, një shenjë që ndarja nuk ka qenë vetëm personale, por edhe politike. Megjithatë, siç duket nga postimet e tyre në rrjetet sociale, të dy po e shijojnë këtë fazë të re të jetës së tyre, edhe pse ndoshta në mënyra të ndryshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



