“Ron Yeffet telefonoi 4 herë Ramën kur i shkoi SPAK për kontroll”
Berisha akuzon kryeministrin për kontrabandë armësh
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me aktivitetet që ai i cilëson si kontrabandë armësh dhe trafiqe kriminale.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se biznesmeni izraelit Ron Yeffet, banesa dhe zyrat e të cilit janë kontrolluar nga strukturat e drejtësisë, ka telefonuar disa herë kryeministrin Edi Rama gjatë kohës së kontrolleve.
Sipas kryedemokratit, gjatë kontrollit Yeffet ka tentuar të kontaktojë gjithashtu Linda Ramën. Berisha tha se informacioni i është përcjellë përmes asaj që ai e cilësoi si “qytetari dixhital”, ndërsa theksoi se verifikimi i këtyre pretendimeve i takon organeve të drejtësisë.
Berisha deklaroi gjithashtu se kompania e biznesmenit izraelit ka përfituar 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe prona shtetërore me vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.
Duke folur për lidhjet që ai pretendon se ekzistojnë mes politikës, biznesit dhe trafiqeve kriminale, kreu i PD-së u shpreh:
“Armë dhe droga dhe armët janë binjakë të trafiqeve kriminale dhe ilegale. Të dhënat të pakundërshtueshme faktojnë se padrinoja apo kreu i narkoshtetit Edi Rama është kujdesur në maksimum që fitimet e tij të kenë sigurinë, tregtinë e armëve dhe kontrabandën e armëve. Historia e të famshmit Ron Yeffet është histori personale e Edi Ramës. Ky personazh, i implikuar në një mori aferash mafioze korruptive, si përfaqësues i Edi Ramës, u kontrollua para pak ditësh në banesën e tij nga organet ligjzbatuese.
Qytetari dixhital informoi se nga kontrolli ai mbeti i fantaksur se nuk e besonte kurrë por ajo që ka më rëndësi, se ai gjatë kontrollit, mori të paktën 4 herë në telefon Edi Ramën dhe tre herë Linda Ramën, por në telefon nuk iu përgjigj njeri. Sidoqoftë këto janë çështjet të drejtësisë dhe do t’i verifikojë ajo”, – tha Berisha.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur aktiviteti i Ron Yeffet dhe marrëdhëniet e tij me kompani që kanë përfituar kontrata apo asete publike janë vënë në qendër të vëmendjes së strukturave të drejtësisë.
Akuzat e ngritura nga kreu i PD-së ndaj kryeministrit dhe personave të përmendur prej tij mbeten pretendime politike dhe publike, ndërsa çdo përgjegjësi eventuale penale duhet të përcaktohet përmes hetimeve dhe vendimeve të organeve kompetente të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



