Rrafsho bujtina, ‘shumo’ kulla, turizmi epik i Ramës në veri
Qeveria Rama ka prezantuar këtë të premte një projekt të ri për “rijetëzimin e kullave–shtëpi” në katër rajone të veriut të vendit, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Sipas Ministrisë së Turizmit, projekti është realizuar në bashkëpunim me GIZ-in gjerman dhe synon zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të zonave veriore. Por për shumë qytetarë dhe ekspertë, ky njoftim ngre shumë pikëpyetje, sidomos pas ngjarjeve të verës së kaluar në Theth dhe Valbonë.
Vetëm disa muaj më parë, qeveria shembi me fadroma dhjetëra bujtina në këto zona, ndërtesa të ndërtuara me investime private, të cilat kishin kthyer veriun në një ndër destinacionet më të suksesshme të turizmit malor në Shqipëri.
Pamjet e rrafshimeve në Theth dhe përplasjet me banorët bënë xhiron e rrjeteve, ndërsa shumë turistë mbetën të tronditur nga skenat e ndërhyrjeve policore.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe reagimeve të ashpra, Rama nuk e ndali aksionin, duke lënë pa të ardhura qindra familje që kishin ndërtuar me mundësi vetjake bujtinat e tyre, shpesh falë kredive apo mbështetjes së emigrantëve të kthyer në vend.

Tani, po e njëjta qeveri që shembi “me molotov” bujtinat në kulmin e sezonit, shpall një projekt për “shpëtimin” e kullave, me qëllimin për t’i kthyer ato në atraksione kulturore e turistike. Një paradoks që ka nxitur valë kritikash në opinionin publik.
Shumëkush e sheh këtë si një tjetër manovër politike dhe propagandistike. “Pas pushtimit të kryeqytetit me kulla betoni, Rama tani i ka vënë syrin edhe kullave të veriut”, komentojnë analistët, duke e cilësuar projektin si “zhvatjen e radhës” që fshihet pas parullave të zhvillimit turistik.
Kullat, pastrimi i parave dhe oligarkia e betonit
Në mars të këtij viti, Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH) publikoi raportin mbi strategjinë e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku Shqipëria përmendej si vend ku paratë e krimit po investohen në ndërtimin e kullave dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.
Sipas ekspertëve të ekonomisë dhe politikës, projekti i rijetëzimit të kullave është pjesë e të njëjtës filozofi – përdorimi i investimeve publike si formë shpërblimi për oligarkët financiarë, mediatikë dhe të botës së krimit, që mbështesin pushtetin aktual.
Në këtë kuptim, për shumë analistë, “rijetëzimi i kullave” nuk është veçse një fasadë e re e politikës së vjetër të betonit – një ndërthurje mes propagandës turistike dhe interesave të fshehta ekonomike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



