E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rrëfehet Gjekmarkaj: Satira ime qëllon ata që bënë euro e emër nga politika
Lajme

Rrëfehet Gjekmarkaj: Satira ime qëllon ata që bënë euro e emër nga politika

Agron Gjekmarkaj me satirën e tij trazuese prej vitesh është shfaqur në kohën e vet dhe të qenit prezent në këtë kohë, e cila s’mund të jetë vetëm e tij, por edhe e gjithë ne të tjerëve, do të thotë të kesh guximin si qenie njerëzore në radhë të parë të thuash të vërtetën ku dhe kur duhet, haptazi e ballazi, sado e idhtë që të jetë, sado e dhimbshme, sado e papëlqyeshme për veshët e të tjerëve. E këtë pozicion të intelektualit, Gjekmarkaj ashtu si në jetën e tij politike e mishëron fort edhe në satirën e tij, veçse në këtë të fundit e vërteta sociale e politike duke u veshur me petka të fiksionit, çka nënkupton edhe të hiperbolës dhe metamorfozës, bëhet tejet fshikulluese.

Intervista e plotë, si më poshtë vijon:

Pse ju keni zgjedhur satirën, në të shumtën e rasteve, për të shpjeguar ngjarjet sociale dhe në veçanti ato politike që zhvillohen në këtë vend?

Një mjeshtër i madh i satirës Luigji Pirandelo e konsideronte humorin si formën më të lartë të komunikimit njerëzor! Me këtë, nuk po përpiqem të ndërtoj ndonjë paralelizëm me mjeshtrin italian të shkrimit; se është si të krahasosh aeroplanin e drurit të Dino Çiços me atë të ushtrisë amerikane sot! Nuk është e lehtë të bësh satirë dhe, jo gjithmonë ja qëllon. Kur merr përsipër ta bësh atë, së pari; duhet të relativizosh vetveten. Të mos e marrësh veten shumë seriozisht dhe ta shikosh komunikimin publik si një “lojë” me qëllime pozitive, të argëtohesh me të dhe jo të impostohesh rrejshëm. Të zhvishesh nga mantelet e rreme  të posteve apo të “epërsisë” që të jep të qenit publik. Ashtu siç “tall” duhet ta pranosh “talljen”! Ne jemi një shoqëri mjaft emotive, gjestikulative, shpotitëse madje nga e qeshura mësojmë më shumë, e pranojmë më parë atë se fjalën e thënë me seriozitet dhe mbase disi bëhemi më reflektiv.

Sipas jush, që të korrigjohet kjo klasë politike, duhet të preket në sedër, duhet të “fyhet” nga pak, deri diku, apo satira juaj është e kundërta e kësaj?

Në Kosovë ka një shprehje që më pëlqen shumë, në fakt e kam dëgjuar nga miku im, Sabri Hamiti: “me krypë mend”! Në këtë kontekst ka një rendje të madhe kudo me u dukë, me u imponue; në gazeta, televizione portale, parlament dhe shoqëruar gjithashtu me gjykime, verdikte, zgjidhje, sensacion që edhe vetë bie herë pas here. Kur kthjellohem kuptoj që në të gjithën ka diçka për të qeshur, herë hidhur dhe, ky është momenti kur merr vendimin me shkru një satirë tjetër pafajësisht, duke pranuar realitetin.

Me kaq sa e njoh unë vendin tonë kam arritur në konkluzionin se disa fenomene dhe personazhe trajtohen më mirë me gjininë e satirës. Jo pak herë sheh për persona që as nuk skuqen e as nuk zverdhen, të cilët serën shoqërore apo pasurinë e kanë arritur me cirkun e abuzimit. Atyre, serioziteti i jep përshtypjen se i nderon, kur nuk duhen nderuar. Ata shqetësohen pakëz, po pakëz ama, vetëm nga tallja, e cila ngjit më shumë tek njerëzit që nuk j’ua thonë dot në sy.

Për shembull, në politikë ka personazhe që s’kanë bërë asgjë tjetër në jetë përveç se “politikë” dhe prej saj, emër e euro, por janë pikërisht këta që imponohen si personalitete shoqërore! Nuk kanë pasur kurrë emër të tyrin dhe nga anonimiteti i ka nxjerrë partia me emërimet që ju bën! Ata për të ruajtur këtë pozicion bëjnë gjithçka, po gjithçka ama.

Ky është një tjetër moment i jashtëzakonshëm për satirën, ku fenomeni merr fytyrën e personit dhe personi shndërrohet në personazh. Kjo klasë politike mund të ndryshojë vetëm nga presioni i shoqërisë. Për sa kohë shoqëria nuk e ushtron atë, ajo nuk ndryshon, thjesht perfeksionon veset. Satirën e shkruaj për kënaqësi personale, dua të qesh vetë, a ndonjë mik që më lexon! Nuk kam pretendime që ajo ndikon shumë, por mua më jep liri.

Sa fishtjane është ajo?

Fishtjane nuk është asgjë sot në të shkruarin e sotshëm. Fishta mbetet i papërsëritshëm. Ne thjesht e “vjedhim” atë , marrim prej tij epitete, krahasime, stilema, fjali se na duket që fjala jonë nuk mjafton.

Nuk e zëvendëson më asgjë nocionin “shakllaban”, ” matrahul”, ” surratqerep”, ” kryematare” , “sybirucë” dhe kur lipset, e merr gati nga Gjergj Fishta!

Po janë të atij, ama nuk bëhen dot tonat! Në rastin më të mirë kuptojmë që veset në thelb janë të njëjta, personazhet po, përveç faktit që jemi gati 100 vjet më pas dhe nuk e kemi një si ai për t’i përkufizuar e satirizuar si ai. Nëse Fishta ishte “djathi”, ne jemi “hirra” e tij.

A e përdorni ju këtë zhanër si një lloj dinakërie për ta përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish?

Jo, dinakëri është të heshtësh, të buzëqeshësh, të thuash veç fjalën e mirë, të lëvdosh gjithkënd, t’i thuash derrit dajë, e dajës derr. Ndërsa kjo që zgjedh unë është rruga ma e sigurt me ba armiq shumë, madje e pikërisht, ata që janë më të fuqishmit, e vendimmarrësit. Po nuk rri dot pa qeshë, për një batutë e djeg jorganin. E qeshura është liri është cilësi jete dhe armiqësitë që fitoj prej saj; janë çmimi që u paguaj atyre.

A do doja të kishin efekt? Sigurisht, që po!

A s’jam i sigurtë? A kam lënduar njerëz edhe me pa të drejtë?

Patjetër që po!

Dhe për një gjë të tillë kam kërkuar falje me shumë sinqeritet, po me kaq sinqeritet e naivitet e kam përsëritur gabimin e së qeshurës. Liberale

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.