Rrëzimi i skelës/ Arrestohen punëtori, sipërmarrësi dhe inxhinieri i ‘Arlis’
Shërbimet e Komisariatit nr.2 në Tiranë kanë arrestuar një punëtor, sipërmarrësin dhe inxhinierin e pallatit të kompanisë Arlis sh.p.k. për rrëzimin e skeles ku të plagosur mbeten dy kalimtarë.
Ata dyshohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit: Elton Osmanllari, 41 vjeç, Erjon Kanto, 41 vjeç dhe Zef Kala, 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Punëtori ka qenë ne skele duke punuar kur u kanë rënë nga duart shufrat metalike dhe elementë të tjerë ndërtimi që ndikuan në rrëzimin e skelës.
Ndërsa inxhinieri akuzohet se nuk ka ndjekur punimet dhe nuk ka monitoruar masat për mbrojtjen në punë.
Kujtojmë se të plagosur nga kjo ngjarje mbetën Hysen Lavdari, 70 vjeç dhe Imelda Shkëmbi 45 vjeçe. 70-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve në kokë, ndërsa 45-vjeçarja paraqitet në gjendje stabël.
Në momentin e rënies së skelës, në godinë po punohej. Pallati që po ndërtohet është buzë vendkalimit për këmbësorët dhe për mbrojtjen e tyre nuk është vendosur ndonjë perimetër sigurie apo struktura që pengojnë rënien e sendeve të forta nga lartësia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



