Rrok Gega nga SPAK te miliardat e asfaltit në bashkinë e Tiranës
Si “Rroku Guest” i Rrok Gegës mbetet i preferuar i pushtetit vendor, pavarësisht dosjeve penale
Një kompani me dy dosje penale në SPAK, një pronar i dënuar për mashtrim dhe evazion fiskal, por gjithsesi – një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në Shqipëri. Rroku Gega dhe kompania e tij “Rroku Guest” janë bërë sinonim i një skeme ku drejtësia heton, ndërsa qeverisja financon.
Pavarësisht historikut kriminal të pronarit dhe hetimeve të hapura për abuzim me fondet publike, “Rroku Guest” është një ndër kompanitë më të favorizuara nga pushteti lokal dhe agjencitë shtetërore. Emrat e bashkive Tiranë, Shkodër, Tropojë dhe Drejtoria e ARRSH-së janë të lidhura ngushtë me kontratat e majme të dhëna kësaj kompanie – disa prej të cilave, aktualisht, janë objekt hetimi nga SPAK.
Tirana, miliarda për Rrokun firmosur nga Anuela Ristani
Më 4 korrik 2025, Bashkia Tiranë, nën drejtimin e kryetares së komanduar Anuela Ristani, ka zhvilluar një tender me objekt “Rehabilitimi i rrugës Konstantin Kristoforidhi dhe 17 Nëntori” me fond limit 229 milionë lekë pa TVSH (afro 2.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH).
Fitues u shpall pikërisht “Rroku Guest”, në bashkëpunim me kompaninë “DEHA 2010”, me ofertë 140 milionë lekë. Në letër, një garë me 16 operatorë. Në praktikë, një skemë e njohur ku fondi limit është fryrë ndjeshëm, ndërsa fituesi dihej që në fillim. Kjo rrugë vetëm 2.4 km e gjatë dhe 7 metra e gjerë është bërë disa herë, zakonisht para zgjedhjeve. Puna do të zgjasë 9 muaj dhe do të kryhet nga një staf prej vetëm 40 punëtorësh, me gjithë miliardat e dhëna.
Më konkretisht, më 4 korrik 2025, Bashkia Tiranë ka mbajtur tenderin me objekt “Rehabilitimi i rrugës “Konstantin Kristoforidhi dhe 17 Nëntori”. Fondi limit i përllogaritur nga komisioni i i Anuelës është 229 155 834,00 lekë pa TVSH.

Mes 16 operatorëve konkurrues u përzgjodh “Rroku Guest” shpk me subjekt mbështetës DEHA 2010” shpk me ofertën fituese 140 006 558,00 lekë pa TVSH.
Meqenëse shpallja e fituesit u bë më 24 korrik 2025, pritet që shpejt të nis hedhja e asfaltit. Megjithëse është caktuar një fond i fryrë, puna do të zgjasë 9 muaj dhe pritet ta rëndojë trafikun në këtë zonë. Kohëzgjatja me siguri është kërkuar nga “Rroku Guest”, që ka ndërkohë kontrata të tjera të pambaruara. Po kështu, është caktuar detyrim i vogël për numrin e punonjësve (40) po të kihet parasysh se fondi limit është 2.3 miliardë lekë.
Nga ana tjetër është e dyshimtë se si është përllogaritur fondi, kur kompanitë kanë bërë oferta mesatarisht 900 milionë lekë më të ulëta se sa limiti.

Rruga ka një gjatësi totale afërsisht 2.4 km dhe nje gjerësi qe varion nga 6.5 deri 7 m pjesa asfaltike. Ky segment eshte pjesë e Njësisë Administrative Kashar kufitar me Astirin.
ARRSH i Gentian Gjyli, 247 milionë për mirëmbajtje rrugësh për Rrokun
Më 23 prill 2025, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues për Lotin 2 të kontratës së mirëmbajtjes në Bogë – Theth – Razëm, bashkimin “Rroku Guest & DEHA 2010”. Megjithëse ofertën më të ulët e kishte “Ndërtuesi 2014 & Varaku E”, ARRSH i dha më shumë pikë kompanisë së Rrok Gegës.
Dhe kështu, përkundër çmimit më të mirë, fitoi një firmë nën hetim penal. Vlera e kontratës: 247 milionë lekë. Gjurmët e mungesës së integritetit duken qartë në çdo rrugë që nis me tender publik dhe përfundon në duart e të njëjtëve klientë të privilegjuar.
SPAK heton dy tendera të dyshimtë në Tropojë
Në mars 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi çështjen penale nr. 47 për një tender prej 145 milionë lekësh për rikonstruksion urash në Tropojë. Pagesa ishte bërë më 29 janar, ndërsa fatura e shitjes mbante datën 29 dhjetor 2023 – një praktikë që ngre dyshime për fatura fiktive dhe mashtrim me dokumente financiare.
Kryebashkiaku Rexh Byberi është thirrur për sqarime në SPAK. Hetimet synojnë të zbulojnë nëse kemi të bëjmë me situacione fiktive për të justifikuar pagesa të paligjshme në favor të “Rroku Guest”.
Në një tjetër dosje, është nën hetim edhe kryetarja e komanduar e Tropojës, Zyra Islamaj. Sipas një kallëzimi penal, ajo dyshohet se ka ndërtuar një urë për motrën e saj duke përdorur fondet publike dhe duke favorizuar sërish “Rroku Guest”.
Një firmë me histori kriminale, në duart e familjes
Pas dënimit penal të Rrok Gegës për mashtrim dhe evazion fiskal, kompania “Rroku Guest” u transferua përmes kontrate dhurimi te bashkëshortja e tij, Vera Gega – e cila figuron tashmë si administratore. Por asgjë nuk ka ndryshuar përveç emrit në regjistër: kontratat, tenderat dhe favorizimi institucional vijojnë si më parë.
A ka ndonjë kufi për abuzimin me fondet publike?
Rroku Gega është një emër që shfaqet shpesh në kronikat e tenderëve dhe gjithnjë me sukses të garantuar. Më shumë se një ndërtues, ai është një simbol i asaj që SPAK duhet të përmbysë: një sistem të kalbur ku paratë e qytetarëve shkojnë tek të njëjtët klientë, pavarësisht shkeljeve ligjore, pavarësisht dosjeve penale, dhe pavarësisht performancës.
Tenderat nuk janë më instrument për zhvillim, por për pasurim. Dhe në këtë skemë, “Rroku Guest” është vetëm një nga shumë “të ftuarit” në sofrën e miliardave publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



