Rusia kryen një nga sulmet më të mëdha që nga fillimi i luftës
Kievi është zgjuar mëngjesin e së dielës nën një nga sulmet ajrore më të mëdha që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tre vjet e gjysmë më parë. Sipas mediave ukrainase, Rusia ka ndërmarrë sulme të njëkohshme në disa qytete, përfshirë Zaporizhzhian dhe rajonin e Kievit, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme.
Në kryeqytetin ukrainas, dronë dhe raketa fluturuan mbi qytet dhe periferi, ndërsa zjarri kundërajror dëgjohej gjatë gjithë natës. Autoritetet shpallën alarm të kuq në të gjithë vendin dhe shumë banorë u detyruan të strehoheshin në stacionet e metrosë.
Bilanci i sulmeve
Sipas agjencisë franceze AFP:
3 persona janë plagosur në Kiev, të cilët janë dërguar në spital, sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko.
Në Zaporizhzhia, janë raportuar 4 të plagosur, ndërsa një shkollë dhe një ndërtesë banimi janë dëmtuar rëndë.
Në qytetin Fastiv, në rajonin e Kievit, janë plagosur 5 punëtorë të një furre buke gjatë një zjarri të shkaktuar nga bombardimet.
Përshkallëzim i tensioneve
Kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, e përshkroi situatën si një sulm të kombinuar me dronë dhe raketa, duke theksuar se Rusia po përshkallëzon agresionin.
Në Zaporizhzhia, guvernatori Ivan Fedorov deklaroi se qyteti u godit “të paktën katër herë”, dhe se synimi i rusëve është infrastruktura kritike. Objekte industriale dhe të prodhimit janë dëmtuar, megjithëse nuk janë specifikuar emra kompanish.
Reagimi i Polonisë
Pas sulmit, Polonia mbylli hapësirën e saj ajrore pranë kufirit me Ukrainën, në zonat e Lublinit dhe Rzeszovit, ndërsa forcat e armatosura mobilizuan avionë luftarakë për të siguruar mbrojtjen ajrore.
Kërcënime të reja nga Rusia
Pak orë para sulmit, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se “kushdo që përpiqet të rrëzojë avionë rusë në hapësirën ajrore të vendit, do të pendohet shumë”, duke e quajtur këtë një “shkelje flagrante të sovranitetit të Rusisë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



