Rutte: Marrëveshje me Trump për mbështetjen e Ukrainës
Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka cilësuar si një “marrëveshje vërtet të rëndësishme” akordin që ai njoftoi së bashku me presidentin amerikan Donald Trump ditën e hënë, për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Rutte bëri të ditur se Trump e kishte kontaktuar të enjten, duke i shprehur gatishmërinë për të furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake të domosdoshme për mbrojtjen ndaj Rusisë – por me kusht që koston ta mbulojnë vendet europiane, gjë që Rutte e quajti “krejtësisht të arsyeshme”.
“Marrëveshja bazohet në suksesin e madh të samitit të fundit të NATO-s dhe tregon se vendet europiane po angazhohen gjithnjë e më shumë për mbështetjen e Ukrainës,” deklaroi Rutte.
Ai konfirmoi se disa shtete kanë shprehur gatishmërinë për t’u bashkuar me marrëveshjen, përfshirë Finlandën, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Kanadanë.
“Kjo është vetëm vala e parë – do të ketë edhe të tjera,” theksoi Rutte, duke shtuar se NATO do të punojë ngushtë me Ukrainën për të identifikuar nevojat konkrete në terren.
Sipas tij, marrëveshja do t’i mundësojë Ukrainës të marrë “një sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake – që nga mbrojtja ajrore e deri te raketat dhe municionet”.
Rutte: Putin duhet ta marrë seriozisht paralajmërimin e Trump
Shefi i NATO-s kritikoi edhe veprimet e fundit të Rusisë, duke i quajtur sulmet ndaj qyteteve ukrainase si “të papërshkrueshme dhe pa lidhje me objektiva ushtarakë”, me qëllim kryesor përhapjen e panikut mes civilëve.
Rutte i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të marrë seriozisht paralajmërimin e fundit të Donald Trump, i cili i ka vendosur afat prej 50 ditësh për të arritur një marrëveshje paqeje me Kievin – në të kundërt, SHBA do të vendosë sanksione dytësore ndaj Rusisë, me efekte që arrijnë deri në 100%.
“Nëse do isha në vendin e Vladimir Putinit pas kësaj deklarate, do ta rishikoja me serioz qasjen ndaj negociatave për Ukrainën,” përfundoi Rutte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



