Sadik Llanaj tentoi të vriste dhe shokun e viktimës Ardian Baloshi
Zbardhen detaje të reja tronditëse nga vrasja e 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz, një ngjarje që ka ngritur alarmin për nivelin e dhunës dhe rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, Sadik Llanaj, i shpallur në kërkim nga policia.
Sipas burimeve nga hetimi, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 10 gëzhoja arme zjarri, duke treguar se sulmi është kryer me breshëri plumbash dhe me qëllim eliminimin e viktimës. Nga të shtënat, Baloshi është goditur me një plumb në kokë, plagë që rezultoi fatale.
Hetimet paraprake hedhin dritë edhe mbi një tjetër aspekt të rëndë të ngjarjes. Dyshohet se objektiv i sulmit nuk ka qenë vetëm 27-vjeçari, por edhe shoku i tij, i cili ndodhej pranë tij në momentin e atentatit. Autori i dyshuar ka qëlluar në drejtim të të dyve, por fatmirësisht personi tjetër ka arritur të shpëtojë pa lëndime.
Policia e Tiranës vijon operacionin për kapjen e autorit, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se lëviz i armatosur. Për të ndihmuar në lokalizimin e tij, autoritetet kanë vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që çon në arrestimin e Sadik Llanajt.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin e motiveve dhe çdo personi të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



