Salianji nga mbledhja e Kryesisë: U tentua krijimi i një partie që kërkon elektorat antiamerikan!
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i ka konsideruar të papranueshme deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha kundër ambasadores Yuri Kim gjatë Kuvendit Kombëtar.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD pasditen e sotme, Salianji shprehet se me këtë organizim, u tentua krijimi i një partie që kërkon elektoral antiamerikan.
Burime për Panorama.al raportojnë se Salianji thotë që asnjë parti nuk fiton dot pa partneritetin e SHBA-së.
“E papranueshme që drejtues të lartë dhe deputetë të PD janë në një takim ku sulmohen përfaqësuesit e ShBA, nga ambasadorja tek zoti Escobar. Nuk duhet të lëmë marrëzinë të marrë dhenë. Sot u tentua krijimi i një partie që kërkon elektorat antiamerikan, nuk duhet lejuar. Ne jemi në anën e duhur të historisë, jemi në anën e drejtë duke mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe demokratëve, asnjë parti nuk fiton dot pa partneritetin me SHBA, nuk duhet keqpërdorur dëshpërimi i drejtë që dha situata pas 25 Prillit” – shprehet Salianji.
Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ka nisur prej orës 18:00 ku po diskutohet lidhur me Kuvendin Kombëtar të Berishës të zhvilluar gjatë ditës së sotme. Një prej vendimeve të këtij Kuvendi ishte dhe shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha me 4446 vota të delegatëve nga 4934 që morën pjesë në total.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



