Zbulohet ‘foleja’ e prostitucionit në Fier, arrestohen dy kolumbiane
Një tjetër operacion policor kundër veprimtarive të paligjshme është zhvilluar në Fier, ku autoritetet kanë goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në ambiente të përshtatura posaçërisht për këtë aktivitet. Aksioni është ndërmarrë nga strukturat e specializuara për hetimin e trafiqeve në nivel vendor.
Gjatë operacionit, në pranga kanë përfunduar dy shtetase nga Kolumbia, të identifikuara si Dina Camargo, 31 vjeçe, dhe Geraldine Calderon, 20 vjeçe. Sipas të dhënave zyrtare, ato dyshohet se ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira, e cila ishte përshtatur për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se ambienti përdorej në mënyrë të organizuar, ndërsa gjatë ndërhyrjes policore janë sekuestruar një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe gjashtë telefona celularë që pritet të shërbejnë si prova në vijim të hetimeve.
Në kuadër të të njëjtit operacion, janë proceduar penalisht edhe tre shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Autoritetet bëjnë me dije se aksionet për goditjen e rasteve të prostitucionit dhe trafiqeve të paligjshme do të vijojnë, me synimin për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo formë të shkeljes së ligjit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



