Saranda “mbytet” nga mbeturinat në kulmin e sezonit turistik
Saranda po përballet me një situatë alarmante sa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane, pikërisht në kulmin e sezonit turistik. Pamjet e regjistruara në orët e para të mëngjesit tregojnë kosha të tejmbushur, mbeturina të shpërndara në rrugë dhe një erë të rëndë që përhapet në disa zona të qytetit.
Banorët shprehen të indinjuar për gjendjen, duke theksuar se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së përditshme, por edhe në imazhin e një prej destinacioneve kryesore turistike në vend. Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me mbushjen e koshave, por edhe me mungesën e pastrimit dhe dezinfektimit të rregullt pas zbrazjes së tyre.
Qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjësi si nga vetë komuniteti dhe turistët, të cilët shpesh hedhin mbeturina jashtë vendeve të përcaktuara, ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e qytetit. Një nga shqetësimet kryesore mbetet frekuenca e pastrimit dhe dezinfektimit të koshave, e cila sipas tyre është e pamjaftueshme.
Në kulmin e fluksit turistik, kjo situatë rrezikon të dëmtojë rëndë reputacionin e Sarandës, duke krijuar një përvojë negative për vizitorët dhe duke ulur standardin e shërbimeve publike. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe masa konkrete për përmirësimin e situatës, duke theksuar se një qytet turistik nuk mund të tolerojë një nivel të tillë ndotjeje.
Denoncimi i qytetares:
“Saranda po mbytet nga plehrat! Kjo është pamja e qytetit në orët e para të mëngjesit. Si banore e lindur dhe rritur këtu, është e papranueshme të shohësh këtë gjendje. Koshat janë të mbushur plot, mbeturinat shpërndahen përreth dhe era është e padurueshme.
Është e vështirë të dalësh nga shtëpia për të shkuar në punë, e jo më të shijosh një shëtitje buzë detit. Edhe pse koshat boshatisen, mbetet pikëpyetje nëse pastrohen dhe dezinfektohen siç duhet. Nuk mund të presim që dielli të bëjë punën e institucioneve.
Sigurisht që ka edhe turistë të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina pa kriter, por çfarë masash po merr Bashkia? Jemi në kulmin e sezonit dhe ky është imazhi që po u ofrojmë vizitorëve.
Ne që jetojmë këtu nuk kemi mundësi të largohemi kur qyteti mbushet me erë të rëndë. Kjo është përditshmëria jonë. Është e turpshme që një qytet si Saranda të përballet me një situatë të tillë. Kjo nuk është normale dhe nuk duhet të bëhet e tillë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



