Sarandë: Taksistët protestojnë kundër licencave për taksitë elektrike
Taksistët e vetëpunësuar në Sarandë kanë protestuar sot përpara bashkisë së qytetit, duke kundërshtuar licencimin e kompanive të taksive elektrike. Sipas tyre, këto kompani përfitojnë nga subvencionet e politikave “të gjelbra ndërkombëtare”, duke dëmtuar ndjeshëm biznesin e taksistëve tradicionalë.
Protestuesit deklaruan se numri i taksive në qytet është dyfishuar, duke sjellë pasoja të rënda për profesionin e tyre, duke bllokuar vendet e parkimit dhe rënduar trafikun në rrugët e ngushta të Sarandës. Ata shprehën shqetësimin e tyre për ndihmën financiare që përfitojnë taksitë elektrike, të cilën e cilësuan të padrejtë, pasi u jep atyre avantazhe të mëdha në konkurrencë.
“Ne përballemi me kosto më të larta dhe kushte më të vështira, ndërsa taksitë elektrike marrin subvencione dhe kanë çmime më të ulëta,” thanë taksistët protestues.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte ngarkesa e madhe në trafik, për të cilën ata fajësuan shtimin e numrit të mjeteve elektrike. Shoferët kërkuan nga bashkia një rivlerësim të politikës së licencimit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në këtë sektor.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku taksistët e zakonshëm kanë kundërshtuar rritjen e numrit të licencave për taksitë elektrike, duke e konsideruar atë një konkurrencë të padrejtë që rëndon trafikun dhe vështirëson punën e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



