Sekuestrohet 1 kg heroinë në Elbasan, dy të arrestuar
Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Policia e Elbasanit ka çuar në sekuestrimin e një sasie prej 1 kilogrami heroine dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për trafik ndërkufitar të lëndëve narkotike.
Aksioni, i koduar “Trajektorja”, erdhi pas një pune hetimore që dokumentoi lëvizjen dhe aktivitetin e dy shtetasve, të cilët dyshohet se po transportonin drogë nga Maqedonia e Veriut drejt territorit shqiptar.
Dy të arrestuarit janë një 32-vjeçar nga Struga dhe një 45-vjeçar nga Durrësi. Ata u ndaluan nga policia gjatë lëvizjes me një automjet tip furgon në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd, ku u krye një kontroll i detajuar i mjetit.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një çantë shpine të fshehur në pjesën e gomës së pasme të furgonit, brenda së cilës ndodhej sasia e heroinës. Dyshohet se droga ishte futur në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër, pasi ishte siguruar më herët në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas hetimeve paraprake, lënda narkotike ishte marrë nga një shtetas me inicialet L. G., ndërsa destinacioni final ishte dorëzimi tek shtetasi A. B., i cili dyshohet se do ta shpërndante në tregun vendas.
Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar heroinën, automjetin tip “Fiat”, dy telefona celularë dhe një shumë parash në disa valuta, përfshirë lekë, euro dhe denarë.
Operacioni vijon me hetime të mëtejshme për të zbardhur të plotë rrjetin e përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe lidhjet e mundshme të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



