Sherri banal në Durrës degjeneron në dhunë, rrihet çifti 55-vjeçar
Një konflikt i çastit ka degjeneruar në dhunë fizike dhe shkatërrim prone në Durrës, duke çuar në procedimin penal të një 44-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 30 janarit, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla. Pas një sherri për motive të parëndësishme, A.Z., 44 vjeç, në bashkëpunim me S.Z., 46 vjeç dhe V.R., 37 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj një çifti 55-vjeçarësh.
Burime policore bëjnë me dije se dy bashkëshortët janë goditur me grushte, ndërsa agresorët nuk janë mjaftuar vetëm me dhunën fizike. Ata kanë dëmtuar edhe automjetin e çiftit, një “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe të pasagjerit.
Pas referimit të materialeve hetimore, Prokuroria e Durrësit ka nisur procedim penal ndaj 44-vjeçarit për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë, dy bashkëpunëtorët e tij janë shpallur në kërkim dhe policia vijon punën për kapjen e tyre.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vijojnë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.
Nga hetimet ka rezultuar se më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç.
Nga ana e Policisë është bërë shpallja në kërkim e shtetasve S. Z. dhe V. R., dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



