Shiste mina me telekomandë për 2500 euro copën, arrestohet
Prodhonte dhe furnizonte grupe kriminale me mina të telekomanduara kundrejt pagesës, arrestohet 50-vjecari nga Kruja.
Arben Elezi, me banim në fshatin Larushk të Krujës u fut në “kurth” nga një agjent i infiltruar i Policisë, i cili kishte porositur katër mina. Blutë bënë me dije së 50-vjecari u arrestua në flagrancë gjatë operacionit “Furnitori” të organizuar nga Policia e Durrësit, që u zhvilluar dje në zonën e Ishmit, në fshatin Shkafanë.
Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në makinën e Elezit katër mina me telekomandë. “Policia e Durrësit godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.
Është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar ‘Furnitori’, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës. U arrestua në flagrancë Shtetasi Arben Elezi, 50 vjeç nga fshati Larushk, Krujë. Gjatë kontrollit u sekuestruan 4 mina me telekomandë, të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 10.000 euro”, sqaroi Policia, e cila vazhdon hetimet për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
HETIMI
Për veprimtarinë kriminale të 50-vjeçarit, Policia kishte siguruar informacione në rrugë operative dhe menjëherë nisën nga puna për t’i verifikuar të dhënat që kishin siguruar. Për këtë ngjarje fillimisht u angazhuan në rolin e të interesuarve dy agjentë të Policisë së Durrësit të infiltruar.
Ata kontaktuan me Elezin edhe kërkuan nga ai katër copë mina me telekomandë. Elezi u tha se duhet të prisnin disa ditë pasi duhet t’i montonte dhe në momentin që ishin gati do t’i vinte në dijeni.
Ai u kishte kërkuar të interesuarve (agjentëve të infiltruar) 2500 euro për minë, në total 10 mijë euro për të katërta. Një pjesë të parave e kishte kërkuar paradhënie. Pas disa ditësh, Elezi i lajmëron se puna e tij kishte përfunduar dhe porosia ishte gati.
Në këto kushte, palët rënë dakord që shkëmbimin (mina – para) ta bënin në zonën e Shkafanës në Ishëm, vend i largët në veri të Durrësit dhe pranë kufirit me Fushë-Krujën, ku Elezi të kishte mundësi të mos udhëtonte me makinë në rrugë kryesore.
OPERACIONI
Pasi u vendos dita dhe ora, Policia e Durrësit organizoi operacionin e koduar “Furnitori” dhe angazhoi disa grupe speciale për të rrethuar zonën ku ishte lënë takimi. Sapo është shfaqur Elezi, ndërhynë forca të shumta Policia duke bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e tij.
“Policia e Durrësit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Furnitori’. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Elezi, 50 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë-Krujë.
Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin Arben Elezi, në Shkafanë, Ishëm, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 10 mijë euro.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, tha Policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



