Shkarkimi i Altin Menës, performancë e ulët apo hakmarrje politike?
Turpi i radhës në Policinë e Shtetit
Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për shkarkimin e Drejtorit të DVP Lezhë, drejtues Altin Mena, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi kriteret reale që po përdoren për “vlerësimin e performancës” në radhët e policisë. Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka firmosur largimin e Menës dhe të zv.drejtorit për Rendin, kryekomisar Taulant Gjoka, me motivacionin zyrtar “performancë e dobët”.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi erdhi pas një procesi vlerësimi të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH, proces që do të vijojë edhe në drejtoritë e tjera vendore. Por ky shpjegim bie ndesh me faktet e fundit publike dhe krijon një kontradiktë të fortë institucionale.
Vetëm një muaj më parë, Altin Mena është vlerësuar nga Universiteti i Tiranës me medalje ari, për kontributin, profesionalizmin dhe angazhimin e tij institucional. Një vlerësim zyrtar nga institucioni më i lartë akademik në vend, i cili presupozon standarde të qarta dhe kritere objektive.

Nëse një drejtues vlerësohet me medalje ari për performancë dhe integritet profesional, lind pyetja e pashmangshme: si mund të shpallet i njëjti person, vetëm 30 ditë më vonë, “me performancë të dobët”?

Ky kontrast i fortë ka ushqyer dyshimet se shkarkimi i Menës nuk ka lidhje me profesionalizmin, por me mosnënshtrimin politik. Sipas kritikëve, Altin Mena ishte një drejtues që nuk pranoi të zbatonte urdhra të dyshimtë, nuk u kthye në vegël të interesave politike dhe zgjodhi të respektojë ligjin, uniformën dhe integritetin personal. Pikërisht për këtë arsye, thuhet se u ndëshkua.
Kur drejtues të vlerësuar publikisht largohen, ndërsa promovohen ata që i shërbejnë bindshëm pushtetit, kjo nuk quhet reformë, por degradim i institucionit. Ky vendim shihet si një fyerje për Policinë e Shtetit, për efektivët që punojnë me ndershmëri dhe për qytetarët që kërkojnë siguri e drejtësi reale.
Me këtë vendim, nuk është Altin Mena ai që u diskreditua, por vetë drejtuesit që firmosën shkarkimin, duke ekspozuar frikën ndaj figurave me integritet dhe profesionalizëm.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë zv.drejtorin për Hetimin e Krimit, drejtues Kujtim Gjoka.
Po me të njëjtin motivacion “performancë e dobët” janë shkarkuar edhe shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Mariglen Duçi, si dhe shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz, Besmir Dervishi, duke forcuar bindjen se kemi të bëjmë me një valë largimesh selektive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



