Shkolla e Magjistraturës ja vë fajin aparaturës: Doli me defekt (do blejë një tjetër në kancelari)

Skandal i paprecedentë ka ndodhur me provimin për pranimet në Shkollën e Magjistraturës të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, për vitin 2024-2025.

Faza e parë e provimit, që quhet “scantron” për shkak të aparatit korrigjues dhe metodës së provimit, u zhvillua dje, në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë 442 konkurrentë.

Vendet e hapura për këtë vit ishin për 20 gjyqtarë, 25 prokurorë dhe 15 ndihmës ligjorë. Pra, nga 442 konkurrentë do fitonin vetëm 60. Liberalizimi i notes mesatare, bëri që këtë sezon të kishte dyndje për pjesëmarrje, më shumë se çdo vit tjetër.

Faza e parë “scantron” përbëhej nga pyetje me përzgjdhje alternativash, në fushën juridike profesionale dhe të përgjithshme ku përfshiheshin edhe pyetje të karakterit psikologjik, njohuri të gjuhës shqipe apo rreth historisë.

Për të kaluar testin “scantron” dhe të quhesh i kualifikuar në fazën e dytë, duhet të kapje pragun e 60 pikëve nga 100 të mundshme.

Nga përgjigjet e shpallura dje, menjëherë pas përfundimit të provimit, u lexuan si fitues me mbi 60 pikë vetëm 78 konkurrentë, 364 të tjerë mbetën pa kaluar pragun. 10 “fitues” kishin fiks 60 pikë sipas përgjigjeve “elektronike” të aparatit “scantron”.

Disa konkurrentë dolën me përgjigje shumë zhgënjyese, sipas përgjigjeve inteligjente të “aparatit” elektronik. Ata u ankuan menjëherë te organizatorët e provimit.

Njëri prej konkurrentëve kishte marrë vetëm 2 pikë sipas përgjigjeve. Të tjerë me nga 10 apo 15 pikë. A ishte e mundur kjo? Sipas një rishikimi të shpejtë bërë nga Shkolla e Magjistraturës, doli se aparati “scantron” që kishte kryer korrigjimet ishte me defekt!

Njoftimin për këtë “defekt teknik” e bëri vetë drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Drejtori njoftoi konkurrentët e zhgënjyer nga rezultati se, do përsëritej korrigjimi me një aparat tjetër “Scantron”.

Por përgjigjet nga “scantroni” i ri do nxjerrin një rezultat tjetër nga ai që doli dje, duke eliminuar edhe ata që fituan mbi 60 pikë. Në këtë mënyrë provimi I 442 konkurrentëve kthehet në pikën zero. Pyetjet nga ky skandal i paprecedentë janë të shumta…

Ku do gjendet aparati tjetër “scantron” që do nxjerrë të vërtetën e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm të Sistemit të Drejtësisë?

Si ka mundësi që “scantroni” me defekt nxorri pothuajse kuotat e parashikuara, rreth 60. A kishte parashikuar edhe emrat ky aparat inteligjent?

Ashtu si e paralajmëruam, për këtë event të rëndësishëm nuk flet askush edhe kur skandali nuk mund të jetë më i madh se sa kaq.

Sistemi i Drejtësisë që e la veten të varet nga një aparat me defekt “scantron” u demaskua. Prokurorët dhe gjyqtarët e emëruar gjatë këtyre viteve, janë “pjellë” e aparatit “scantron”, të këtij që doli me defekt.

A e hedh kjo në erë Shkollën e Magjistraturës, dhe gjithë provimet e viteve të fundit?

Apo thjesht një aparat “scantron” me defekt hidhet në plehra dhe zëvendësohet me një tjetër, të ri që blihet (ku?) në kancelari…

Publikuar nga Publik Media