Shpallet në kërkim pronari i “Megatek”
Pronari i kompanisë “Megatek”, Dionis Teqja, prej më shumë se tre javësh rezulton i kërkuar nga drejtësia shqiptare, konkretisht nga Gjykata e Tiranës, pasi nuk është gjetur për t’i dorëzuar fletëthirrjen gjyqësore.
Shkak për këtë situatë është një proces civil mes aksionerëve të një shoqërie tregtare, ku Teqja figuron aksioner, çka ka detyruar gjykatën të procedojë me njoftim përmes shpalljes publike.
Sipas argumentimit të gjykatës, të siguruar nga Weblajm, mosparaqitja e Dionis Teqjas në seancë dhe pamundësia për ta njoftuar atë përmes postës zyrtare e kanë bërë të domosdoshme përdorimin e shpalljes publike si formë ligjore njoftimi.
Teqja është paditur nga një prej ortakëve të tij në kompaninë postare “T.N.T Express Albania” sh.p.k., në kuadër të një mosmarrëveshjeje mes aksionerëve.
Sipas të dhënave zyrtare, çështja civile mban numrin 1234, është regjistruar më 10 dhjetor 2025, dhe paditës është Thanas Hyseni. Të paditur në këtë proces rezultojnë Ferdinand Haxhiaj, Dionis Teqja, shoqëria “RADMAIL” sh.p.k. dhe “T.N.T Express Albania” sh.p.k.. Ndërkohë, si palë e tretë në proces është përfshirë edhe Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
Objekti i padisë lidhet me pavlefshmërinë e një vendimi të asamblesë së shoqërisë, si dhe me kërkesën për sigurim padie. Aksioneri paditës, i cili zotëron një pjesë minoritare të kompanisë postare, pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me statutin e shoqërisë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për pezullimin e efekteve të vendimeve të marra, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për datën 13 shkurt 2026, në orën 13:00, ku pritet që Dionis Teqja të paraqitet personalisht ose të përfaqësohet nga përfaqësues ligjor. Në të kundërt, procesi do të vijojë edhe në mungesë të tij, pasi njoftimi përmes shpalljes publike konsiderohet i vlefshëm sipas ligjit.
Referuar nenit 133 të Kodit të Procedurës Civile, në rastet kur vendbanimi ose vendqëndrimi i një personi nuk dihet dhe njoftimi nuk mund të kryhet me mënyrat e zakonshme, gjykata ka të drejtë të përdorë shpalljen publike. Pas afishimit për një periudhë jo më pak se 20 ditë, pala konsiderohet e njoftuar ligjërisht, pavarësisht nëse paraqitet apo jo në seancë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



