Shpërndanin drogë në plazhe, 3 të arrestuar
Policia e Himarës ka finalizuar një operacion antidrogë në disa prej zonave më të frekuentuara të bregdetit jugor, duke çuar në pranga tre persona të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike gjatë sezonit turistik.
Aksioni u zhvillua në plazhet e Livadhit, Llamanit dhe zona të tjera përreth, ku shërbimet policore konstatuan aktivitet të organizuar të shitjes së dozave të kokainës dhe kanabisit. Në total u sekuestruan 91 doza të gatshme për treg, një peshore elektronike që dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës, një automjet dhe një telefon celular.
Mes të arrestuarve ndodhet një 17-vjeçar, si dhe dy shtetas të tjerë të moshave 24 dhe 40 vjeç. Hetimet paraprake tregojnë se dy prej tyre kishin siguruar banesa me qira në Himarë, të cilat i përdornin si bazë për aktivitetin e paligjshëm gjatë fluksit të lartë të turistëve.
Operacioni, i koduar “Area”, u zhvillua në dy faza të ndara. Në fazën e parë, policia arrestoi një të mitur dhe një 40-vjeçar, gjatë kontrollit të të cilëve dhe në ambientet ku qëndronte ky i fundit në Llaman, u zbuluan rreth 60 doza të dyshuara si kokainë dhe kanabis, të përgatitura për shitje në zonat e plazheve dhe ambienteve të shërbimit.
Në fazën e dytë, u vu në pranga një 24-vjeçar, tek i cili u gjetën 31 doza kanabisi në automjet dhe në banesën e tij të përkohshme, së bashku me një peshore elektronike.
Ky operacion vjen në kuadër të masave të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror, ndërsa kontrollet në terren vijojnë për identifikimin e rasteve të tjera të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



